Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar të enjten Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ku është njoftuar nga afër me punën, organizimin dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion.
Gjatë vizitës, e shoqëruar nga zëvendësministri Blerim Nimoni dhe drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, Gërvalla u prit nga drejtoresha e Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Ardita Blakaj, e cila prezantoi aktivitetet dhe funksionimin e përditshëm të institucionit.
Sipas Gërvallës, Qendra e Paraburgimit në Pejë vazhdon të ruajë standarde të larta profesionale, duke zbatuar politikë të tolerancës zero ndaj kontrabandës, trajnim të vazhdueshëm të stafit dhe bashkëpunim me institucionet relevante.
Ajo theksoi se raportet dhe vlerësimet pozitive nga monitorimet vendore dhe ndërkombëtare përbëjnë dëshmi të punës së përgjegjshme që zhvillohet në këtë qendër.
Në kuadër të takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen institucionet e ekzekutimit të sanksioneve penale, përfshirë trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, kufizimet infrastrukturore dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve profesionale.
Gërvalla vlerësoi se adresimi i këtyre sfidave është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë, rendit dhe respektimit të standardeve më të larta ligjore dhe njerëzore.
“Shteti i së drejtës fiton kuptim atëherë kur siguria, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor ecin krah për krah, dhe kur autoriteti i ligjit është më i fortë se çdo privilegj, presion apo interes”, ka deklaruar ajo.