Gërvalla: Vuçiqi filloi t’i jetësojë kërcënimet, kontrolluan në autobusë për pjesëtarë të UÇK-së

Prishtinë | 17 Pri 2024 | 18:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po i jetëson kërcënimet e tij e se veprimet e Serbisë, e cila ka ndalur qytetarët kosovarë në kufi për disa orë, bazohen në ditën e djeshme, kur Kosova mori aprovimin e Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Evropës (KiE) për anëtarësim, raporton Ekonomia Online.

Gërvalla tha se së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë takuar ambasadorët e QUINT-it, prej të cilëve kanë kërkuar një veprim të unifikuar.

Ajo ka deklaruar se në kontaktet që patën me qytetarë dhe familjarët e tyre thuhet se një pjesë e tyre janë marrë në pyetje nga policia e Serbisë.

“Kosova nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE) mori aprovimin se Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim në KiE. KiE është ajo organizatë evropiane ndërkombëtare që i adreson nevojat e qytetarëve për drejtësi. Për të arritur deri në ditën e djeshme, kemi pasur qindra takime me qindra përfaqësues”.

“Po flasim për 82% të votave ditën e djeshme që është një konfirmim i rëndësishëm se Kosova ka bërë progres në sundimin  e ligjit, të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve jo-shumicë. Dy prej mesazheve që ja vlen të përmenden nga dje janë që Kosova në bazë të raportit duhet të anëtarësohet si shtet dhe jo si vend, si dhe do të hiqet fusnota.  Ishte një konfirmim i fuqizimit të subjektivitetit tonë”.

Gërvalla ka thënë se Serbia e ka shkelur sot Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, pas dështimit të propagandës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Këshillin e Evropës.

“Një veprim i tillë ka një arsye që bazohet në ditën e djeshme. Jemi dëshmitarë të deklaratave të presidentit serb, i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën por edhe shtetet e tjera që do të votonin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE”.

“Dje nuk eci as presioni as propaganda në atë seancë Vuçiq ka filluar t’i jetësojë kërcënimet e tij. Në këtë kontekst e shohim ndalim e udhëtarëve jo vetëm në autobus po edhe veturave, dhe ndalimin e shumë zyrtarëve të Policisë”.

“Nga biseda direkte që kemi pasë me udhëtarët dhe familjarët e disa prej tyre, po ashtu edhe në takimet e përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Serbi i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, është parë se janë shkelur masivisht të drejtat e qytetarëve tanë”.

“Një pjesë i janë nënshtruar edhe bisedave informative. Në shumë prej këtyre marrjeve në pyetje është folur për vitin 1999, janë pyetur për anëtarë të UÇK-së dhe se mos ka të tillë në mesin e udhëtarëve”, ka thënë Gërvalla, raporton EO.

Të ngjashme