Gervinho mori topin në zonën e rreptësisë së ekipit të tij dhe vazhdoi të vrapojë drejt portës kundërshtare. Sulmuesi i Parmës kishte para vetes gjashtë mbrojtës të Cagliarit dhe vetëm një bashkëlojtar.
Ai doli në gjysmën e fushës kundërshtare, pasi evitoi dy ndërhyrje të rrëshqitshme derisa kishte topin nën kontroll. Pas kësaj, ai me shpejtësi dhe teknikë kaloi edhe të tjerët për të shënuar gol pas një vrapimi prej gati 80 metrash, shkruan sot Koha Ditore.
Mesfushori i Parmës, Luca Rigoni, ishte aq i habitur me këtë veprim të Gervinhos, saqë nuk vrapoi për të festuar, por filloi të duartrokiste. Tërë stoli i Parmës ishte mbi Gervinhon, duke festuar golin e tij të çmendur. Sulmuesi i Bregut të Fildishtë është kthyer në nivelet më të larta të futbollit dhe po shënon vazhdimisht në Serie A, kampionat prej të cilit u largua para gati tre vjetësh për t’u transferuar në Superligën kineze.