Gërxhaliu: Fitimet nga tregtia me rrymë shumë të mëdha, prandaj pengohet prodhimi në Kosovë

Prishtinë | 03 Jan 2025 | 10:59 | Nga Gzim Mujaj

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se përballja e Kosovës me reduktime të energjisë elektrike është duke ndodhur, pasi që vendi ka humbur mundësinë për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike, që do t’i siguronin pavarësi dhe zhvillim të qëndrueshëm. 

Sipas Gërxhaliut, Kosova ka humbur betejën energjetike që nga vitet 2005-2006, kur janë refuzuar projekte strategjike të rëndësishme për ekonominë e vendit. Ai përmendi projektet që fillimisht parashikonin ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike, si 2100 megavat, 1100 megavat dhe më pas 600 megavat, por që përfundimisht dështuan.

Gërxhaliu shtoi se një nga humbjet më të mëdha ishte refuzimi i projektit të MCC (Millennium Challenge Corporation) për gazin e ngurtë nga Amerika, i cili do të mundësonte prodhimin e energjisë elektrike me gaz. Ai theksoi se ajo që është më shqetësuese është fakti që mafia ballkanike dhe qarqet e caktuara lokale, veçanërisht ata që mbrojnë interesat ambientale, kanë penguar vazhdimisht përpjekjet e qeverisë për të investuar në prodhimin e energjisë.

“Kosova ka humbur betejën energjetike që nga viti 2005-2006 kur ka pasur projektet kolosale dhe strategjike me rëndësi për ekonominë e Kosovës ku kemi qenë të gatshëm të investojmë apo të ndërtojmë kapacitete të reja, me 2100 megavat, më vonë me 1100 megavat, më vonë me 600 megavat dhe mbi të gjitha është humbje shumë e madhe qe u refuzua edhe projekti i MCC për gazin e ngurtë nga Amerika për të prodhuar energji elektrike me gaz. Çka është me shqetësuese është fakti që betejën në Kosovë e ka fituar mafia Ballkanike me qarqe të caktuara vendore në veçanti me patriotë ambientalë që me çdo kusht e kanë refuzuar çdo tentative qeveritare për të investuar në prodhim të energjisë elektrike në Kosovë”, ka thënë ai. 

Gërxhaliu po ashtu kritikoi situatën e krijuar, ku ekonomia kosovare është shumë më e varur nga tregtia e energjisë elektrike sesa nga prodhimi i saj. Sipas tij, ky zhvillim ka sjellë pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës, për dispononim psikologjik të qytetarëve dhe ka krijuar një perceptim të dëmshëm për Kosovën si një shtet të varur nga importi i energjisë.

Një tjetër problem i madh që Gërxhaliu theksoi është transporti i energjisë elektrike. Ai e ka cilësuar si shqetësuese faktin që Kosova ka vetëm dy kanale për të importuar energji, ndërkohë që në të kaluarën ka pasur gjashtë.

“Është shqetësuese kur i sheh të gjithë ata aktivistë dhe patriot ambiental që kanë organizuar protesta para institucioneve për të penguar implementimin e këtyre projekteve. Sot derdhin lot krokodili pse Kosova është e varur nga importi dhe e fajësojnë qeverinë pse jemi edhe më tutje në terr. Ajo që është alarmante që edhe më tutje në Kosovë shumë me tepër llogaritet se fitohet nga tregtia me energji elektrike se sa në prodhim. Dëmet që po i behën ekonomisë kosovare, deponimit psikologjik të qytetareve dhe precpecionit të krijuar për Kosovën që vendi me i pasur me thëngjill dhe është shtet i varur nga importi. Një ndër problemet kryesore në Kosovë nuk është vetëm çmimi i lartë i energjisë elektrike por edhe transporti i energjisë elektrike, sot Kosova i ka vetëm dy kanale për të importuar në të kallurën i ka pasur gjashtë”, ka thënë ai. 

Një nga dështimet më të mëdha, sipas tij, ka qenë mosimplementimi i Marrëveshjes së Washingtonit, e cila kishte një rëndësi të madhe për të zgjidhur problemet energjetike të Kosovës dhe për të reduktuar varësinë e saj nga importi.

“Ajo që është më shqetësues është fakti që pas shumë dështimeve në të kaluarën në kapacitetet prodhuese, qoftë me Kosovën C qoftë me Kosovën e Re, qoftë me gazë, dështimi më i madh është mos implantimin i marrëveshjes së Uashingtonit. Marrëveshja e Uashingtonit ka pasur rëndësi multi-dimenzionale, jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin dhe mu në ombrellën e kësaj marrëveshje ka pasur zgjidhje edhe për fillimin e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë që Kosova të mos jetë e varur nga importi por të jetë edhe ajo që do të eksportoj. Në mungesë të përgjigjes individuale e institucionale, në një konfrontim apo në një luftë për pushtet dhe jo për shtet dhe qytetar ndodhin edhe këto dukuri ku edhe partneret strategjik zgjonjën në Kosovë dhe nuk duan që të investojnë në fushën e energjetikës në mungesë të stabilitetit politik, në mungesë të sigurisë juridike”, ka thënë ai. 

Të ngjashme