Gërxhaliu: Gjykata Kushtetuese gardian i mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Prishtinë | 06 Jan 2024 | 08:10 | Nga Safet Gerxhaliu

Sundimi i rendit dhe ligjit është substancial për funksionimin e një shteti dhe zhvillimit multidimensional të tij.

Ka pasur pakënaqësi në funksionimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, por sulmet e viteve dhe ditëve të fundit qoftë nga pozita apo opozita që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë dëmi më i madh për imazhin e Kosovës.

Kur një Qeveri e sulmon dhe ofendon ketë Gjykatë para të huajve por edhe para mediave të huaja e në veçanti atyre armiqësore është mjerim i kohës për atë shtet.

Kjo tregon pa dijeni, pa pjekuri shtetërore dhe luftë për autokraci e totalitarizëm.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe shqyrtim gjyqësor të ligjeve lidhur me përputhjen e tyre me kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese është themeluar menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës gjersa rastin e saj të parë e kishte në vitin 2009.

Kjo nënkupton se Institucionet nuk kanë vetëdije të lartë shtetërore dhe nuk kanë përgatitje për të kuptuar funksionimin e shtetit,  gjykata nuk është e kapur sepse ata janë njerëz profesional, vendimet i kanë të drejta, të paanshme dhe të pandikueshme. Partitë politike duhet të vetëdijesohen dhe të kuptojnë  se kjo Gjykatë është një organ i pavarur i ndërtuar si një subjekt i rëndësishëm i shtetit dhe duhet respektuar si i tillë.

Gjykata Kushtetuese vazhdon të jetë gardiane e mbrojtjes së rendit kushtetues. Funksionimi dhe efikasiteti i këtij institucioni duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë.

Duke respektuar sundimin e ligjit, Gjykata Kushtetuese ka kontribuar në rritjen e besimit publik në sundimin  e ligjit dhe në legjitimitetin e institucioneve publike.

Këto janë parimet kryesore që priten nga një Gjykatë Kushtetuese. Prandaj, Gjykata Kushtetuese me detyrën e mbrojtjes së ligjit, është bërë e pa zëvendësuar në demokracitë e sotme.

Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar ka pranuar gjithsej 220 kërkesa, ndërsa 145 prej tyre janë bartur nga vitet paraprake. Nga numri total i kërkesave të pranuara, 185 prej tyre janë parashtruar nga individët, 28 kërkesa janë parashtruar nga personat juridikë, përderisa 7 kërkesa janë parashtruar nga autoritetet publike. Ndërkaq, në ueb-faqen e Gjykatës janë publikuar 170 vendime, prej të cilave 20 Aktgjykime, 134 Aktvendime për papranueshmëri, 11 Vendime për refuzim të kërkesës me procedurë të shkurtër, 2 Vendime për tërheqje të kërkesës, 1 Aktvendim për mospërmbarim dhe 2 Urdhra të tjerë. Numri në rritje të vazhdueshme i kërkesave të parashtruara, llojllojshmëria, si dhe ndërlikueshmëria në rritje e çështjeve të trajtuara, janë gjithashtu indikator i besimit në rritje të qytetarëve në punën dhe vendimmarrjen e Gjykatës.

Të mos harrohen  vendimet dhe kontributi i Gjykatës Kushtetuese në vitit 2013, 2015 janë garanca e mbrojtjes së Kosovës dhe ardhmëris së saj.

Gjykata Kushtetuese nuk është aleat as i pozitës dhe aq më pak i opzitës.

Nuk duhet duartrokitur nga opozita kur argumenton shkeljet e Ligjeve të draftuara nga Qeveria por edhe nuk duhet të respekton vetëm  vendimet e kësaj Gjykate kur kundërshton argumentet e opozitës.

Gjykata Kushtetuese është e Kosovës edhe pozitës edhe e opozitës dhe është shndërruar në gardian të ruajtjes së shtetit dhe rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës.

Çdo tentativë për kapje dhe njollosje të Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit të drejtësisë është varrosje për demokracinë dhe rrugën integruese të vendit tonë!

Të ngjashme