Gërxhaliu: Koha për agjendë konkrete ekonomike

Prishtinë | 25 Jan 2018 | 13:46 | Nga

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se ka ardhur koha që të avancohet në bashkëpunimin rajonal, por jo vetëm në kontekstin politik por edhe në atë ekonomik.

Gërxhaliu tha se ka ardhur koha për mbështetur konkretisht sektorin privat në sektorët ku ka më shumë potencial zhvillimi, gjatë punimeve të “Tirana Economic Forum” të organizuar nga “SCAN Media Group”.

“Është e vërtetë që Ballkani si duket është më tepër i orientuar që të ketë një axhendë politike dhe sa më tepër gjenerojmë agjendë politike, druhem se jemi duke prodhuar dhe duke tentuar ta zbukurojmë të kaluarën. Dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetojnë nga e kaluara. Është koha kur duhet të mos harrohet e kaluara por duhet të jemi të orientuar drejt ardhmërisë dhe besoj kjo formë e avancimit të dialogut ndër-rajonal ka rëndësi multidimensionale. E para, është e pakontestuar rëndësia ekonomike. E dyta është një promovim i vlerave të dialogut të Ballkanit Perëndimor dhe e treta është një mesazh i qartë që si komunitet i biznesit dhe qytetarët nuk mendojmë se integrimi europian do të jetë i mundur vetëm nga dimensioni politik. Duhet bashkëpunim ekonomik se ky është një model që ka dhënë efekte në Europën e bashkuar. Është koha që forume të tilla duhet të ketë sa më shpesh, dhe konkluzione me mekanizma matës të efekteve të tilla dhe dua të besoj se një forum i tillë do të jetë në funksion të promovimit të qartë të një mesazhi: Jemi Ballkan Perëndimor por jemi pjesë e Europës në të ardhmen”.

“Nga dimensioni kohor, një forum i tillë që mbahet sot në Tiranë është i një arsyeje të pakontestuar e sot po vendoset një vulë për parapërgatitjen e konferencës së Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim që mbahet muajin tjetër në Londër dhe dua të besoj se në këtë drejtim duhet të jemi më konkret, më pragmatik dhe të flasim me gjuhën e argumenteve. Dhe argumentet ekonomike janë projekte konkrete; eleminimi i barrierave, avancim i bashkëpunimit dhe në fund të fundit duhet të kuptojmë se imazhi i Ballkanit Perëndimor është ai që e dëmton Ballakanin Perëndimor dhe besoj se takime të tilla janë në këtë frymë pozitive. Është obligim moral që institucionet tona të zhvishen nga petku i patriotizmit folklorik, të bisedohet me gjuhën e interesit dhe kalkulimeve dhe në këtë kuptim Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të shihen si konkurrente po si komplementare. Ajo që dua të apeloj është që të gjenden rrugë që të avancohet dialogu dhe të kthehet besimi i humbur në marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë dhe anasjelltas. Është mirë që miliona dhe miliarda që investohen në infrastrukturë por nëse nuk do të kemi kthim të besimit, partneritet në bashkëpunimin ekonomik mendoj se jemi duke e dëmtuar klimën e bashkëpunimit edhe në të bërit biznes”, tha Gërxhaliu për “SCAN”

“Nuk jetohet me takime qeveritare, është koha kur duhet të mbështet sektori privat, duhet të mbështetet komuniteti i biznesit, dhe në këtë drejtim kemi shumë fusha ku duhet dhe ka mundësi të bashkëpunojmë”, përfundoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme