Gërxhaliu: Korrupsioni mos të jetë kriter për liberalizim, pasojat e mosratifikimit të demarkacionit do të shihen

Prishtinë | 28 Mar 2018 | 12:11 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka prezantuar rezultatet e studimit rreth barrierave dhe mundësive të sektorit prodhues në vend. Raporti vë në pah se masat e reja fiskale ndikuan në forcimin e sektorit prodhues.

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK, tha se zvarritja e miratimit të marrëveshjes për demarkacionin për tri vjet do të ketë pasoja në të ardhmen në ekonomi, raporton Ekonomia Online.

“Jemi dëshmitar të një aktualiteti të ngjeshur politik. Ka qenë humbje 3 vjeçare për demarkacionin e që pasojat do të shihen në të ardhmen”.

Gërxhaliu foli edhe për kriter tjetër që BE i ka caktuar Kosovës për të hequr vizat. Ai bëri apel te BE që kjo të mos jetë kriter për liberalizim ngase sipas tij, po pësojnë qytetarët.

“Si odë apelojmë tek shtetet e BE që lufta kundër krimit dhe korrupsionit të mos jetë kriter sepse kështu do të pësojnë vetëm qytetarët dhe jo grupet e kriminalizuar”.

Gërxhaliu tha se taksa për autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë është e lartë, prandaj sipas tij, kjo rrugë nuk meriton të quhet “Rruga e kombit”.

“Ne kemi kundërshtuar taksën për autostradën sepse është shumë e lartë. Si odë mund të themi se barrierat në Shqipëri janë shtuar të cilat mendojmë që janë për shkak të grupeve të interesit. Me këtë hap rruga e kombit nuk e meriton të jetë rrugë e kombit por mund ti themi rrugë e përfitimeve të ‘Kastratit’”.

Kurse sa i përket skandalit të mishit, ai tha se duhet që të forcohet sundimi i rendit dhe ligjit dhe të mos lëmë ekonominë e kriminalizuar të na përcjellë.

Kur foli për raportin ai tha se 61 për qind të kompanive të prodhimit presin që të rrisin punësimin ndërsa 69 për qind e kompanive të shitjes me pakicë presin që punësimi të mbetet i njëjtë.

“61 për qind të kompanive të prodhimit  presin që të rrisin punësimin ndërsa 69 për qind e kompanive të shitjes me pakicë presin që punësimi të mbetet i njëjtë, çka tregon që pritet për punësim janë më të mëdha se ato për dështim. 79 për qind e kompanive presin që situata të ndryshojë”.

“Kompanitë prodhuese kanë treguar se nuk kanë problem në mbajtjen e stoqeve. Sa i përket ndryshimit të çmimit vetëm 14 për qind e tyre kanë deklaruar se çmimet janë rritur ndërsa 11 për qind të tyre kanë treguar se kanë ulur çmimet”.

Por sipas tij, shqetësuese është rritja e importit nga Serbia dhe mospërputhja e të dhënave për këtë çështje.

“Sa i përket eksporteve ne kemi bërë analiza ne kemi bërë hulumtime dhe kemi vërejtur se statistikat nuk përputhen. Është një diskrepancë në mes të asaj që lajmërohet si eksport dhe asaj që vërtetë eksportohet që neve po na  sfidon. Duam të dimë se sa është vlera e vërtetë e eksporteve. Po mendojmë a mos është dikush që po punon me dokumente të dyfishta. Neve na ka alarmuar rasti kur Serbia lajmëron rritje të importeve nga Kosova për 65 për qind ndërsa ne doganën e Kosovës shifrat janë për 3 herë më të vogla”.

Kompanitë prodhuese sipas raportit janë optimiste gjysma e tyre presin që eksportet të rriten për 20 për qind.

“Ajo çka është me rëndësi është se kompanitë prodhuese janë shumë optimiste. Gjysma e tyre presin që eksportet të rriten për 20 për qind. Shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve krahasuar me vendet e rajonit është mjaftë e ulët sa i përket kompanive prodhuese”.

“Barrierat e sektorit të prodhimet janë kostoja e punës me 14 për qind, konsumatorët nuk paguajnë me kohe, kamatat e larta bankare, vështirësi në marrjen e kredive që i godet 20 për qind të kompanive. 51 për qind të tyre shprehen se nuk ka forma alternative të financimit të projekteve”.

 

Të ngjashme