Gërxhaliu për vendimin e BQK-së për dinarin: Dhurata më e madhe që dikush ia bën Serbisë, e përshpejton Asociacionin

Prishtinë | 27 Shk 2024 | 10:59 | Nga Adelina Sefaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për Ekonomia Online se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda shtetit, është i qëlluar por në rrethana të gabuara. Ndërsa mendon se pikërisht ky vendim do ta përshpejtojë themelimin e Asociacionit.

Gërxhaliu konsideron se ky vendim nuk është dashur të merrej në kohën kur Kosova ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian, ndërsa e quan “dhuratën më të madhe për Serbinë”.

“Kam thënë edhe në të kaluarën por e them edhe sot që vendimi i Bankës Qendrore ka qenë vendim i qëlluar por në rrethana dhe në kushte politike apo strategjike mjaft të gabuara dhe në këtë drejtim sot Kosova e paguan një kosto shumë të madhe të mungesës së një dialogu të mirëfilltë, qoftë në aspektin intern apo edhe me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është sjellë një vendim në kohën kur Kosova ishte nën sanksione të BE-së, u vendos një rregullore në kohën kur ishim në procesin e dialogut me Serbinë. U soll një vendim i tillë kur pritej aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, u pritke forcimi i Partneritetit për Paqe me NATO dhe të bëhej një vendim i tillë, është dhurata më e madhe që ka mundur t’ia bëjë dikush Serbisë dhe diplomacisë serbe”, ka thënë Gërxhaliu.

Profesori i ekonomisë ka thënë se vendimi i BQK-së përshpejton edhe më shumë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa dëm tjetër përmend faktin se temat e brendshme po barten në Bruksel. Beson se presioni më i madh do të jetë mbi Kosovën.

“Me këtë vendim, definitivisht Kosova do të jetë e dëmtuar në forma të ndryshme derisa kërkohej eliminimi i sanksioneve përballë Kosovës, të sillet një vendim që e betonon këtë qëndrim të BE-së dhe me siguri këto sanksione do të jenë edhe më tutje në fuqi dhe do të ketë masa të tjera dhe ajo që e kam paralajmëruar që do të jetë efekti negativ i një rregullore të tillë të pakoordinuar e të pamatur, është proces i përshpejtimit i krijimit të Asociacionit dhe vetë fakti që sot tema e dinarit nuk është problem bilateral mes Kosovës dhe Serbisë por është çështje politike e bartur në Bruksel dhe presioni ndërkombëtar është mbi Kosovën, besoj se është dëmi më i madh që ka mundur t’i bëhej Kosovës në këtë kohë”, u shpreh ai.

Ish-kreu i OEK-ut, ka deklaruar se vendimi i tillë nuk është dashur të merrej në kohën kur institucioni financiar me bazë në Serbi, “Komercijalna Banka” po mbyllej në Kosovë.

“Vetë fakti që kemi qenë në procese politike, kemi qenë në masa të Bashkimit Evropian, besoj që një vendim i tillë është dashur të debatohet me faktorin ndërkombëtar, të pritet skadimi i licencës së ‘Komercijalna bankës, fuqizimi apo shtrirja e tërësishme e NLB-së, qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë, prandaj është dashur shumë më tepër të pritet të kaloj 31 janari dhe atëherë të mendohet. Mirëpo të ndodhë diçka e tillë vetëm 4 ditë para se të skadojë licenca e ‘Komercijalna Banka’, vërtet është një papjekuri, një pamaturi. Kjo është kostoja që Kosova po e paguan përmes politizimit të bordeve  dhe vendosjes së njerëzve që kanë shumë më tepër afirmitet politik dhe servilitet politik sesa profesional dhe pro shtet dhe pro qytetar të Kosovës. Besoj që një gjë e tillë ka pasur mundësi të promovohet”, deklaroi Gërxhaliu, teksa thotë se Kosova nuk ka fuqi diplomatike as ekonomike ta parandaloj propagandën e Serbisë mbi çështjen e dinarit.

“Do të jetë preteksti për dinarin një presioni në politikbërsit kosovarë nga faktori ndërkombëtar që ta përshpejtoj procesin e krijimit të Asociacionit. Politizimi i dinarit dhe futja në agjendën evropiane është një dëm që vërtet Kosovën do dëmtoj, sepse Kosova nuk ka fuqi diplomatike as ekonomike ta parandaloj këtë kampanjë dhe këtë propaganda të Serbisë dhe në këtë drejtim besoj që pajtohemi. Kosova e ka bërë një autogol aq të rrezikshme, çka mund te jetë një penalti në favor të ardhmërisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Të ngjashme