Gërxhaliu: Pa një sektor të fuqishëm privat, e pamundur rimëkëmbja ekonomike – Buxheti i orientuar në ndihma sociale

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 11:06 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se pa një sektor të fuqishëm privat është e pamundur të mendohet rimëkëmbja ekonomike.

Gërxhaliu ka thënë për Ekonomia Online se mungesa e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat është shqetësuese. Por, sipas tij, është fat i mirë për Kosovën që sektori privat ka bërë shumë hapa para politikës.

“Sa më tepër të ketë investime do të ketë mundësi dhe potencial për rimëkëmbje ekonomike dhe për fuqizim të sektorit privat. Në rend të dytë, Kosova ka nevojë për projekte, por këto projekte dhe implementimi i tyre duhet të jenë të paraprirë nga një dialog i mirëfillte publiko-privat dhe dialogu aktual, qoftë mes pozitës dhe opozitës, qoftë mes nivelit qendror dhe atij lokal, qoftë mes aktorëve socialë, është në nivelin më të ulët”.

“Pa një sektor të fuqishëm privat është e pamundur të mendohet rimëkëmbja ekonomike. Është fat për Kosovën që sektori privat në Kosovë ka bërë shumë hapa para politikës, po të mbetet sektori privat në mëshirën e politikës aktuale definitivisht dështimet do të ishin shumë shqetësuese”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova po ballafaqohet me sfida të shumta ekonomike.

“Në këtë formë të funksionimit apo të mos funksionimit të një dialogu të mirëfillte publiko-privat, Kosova po ballafaqohet me sfida të shumta ekonomike. Ajo çka dëgjohet nga Ministria e Financave dhe Qeveria në përgjithësi e dëshmon faktin që Kosova jep të dhëna të gabuara, por realiteti ekonomik në Kosovë është ai që e shijon qytetari, ai që e ndjen qytetari, ai që e përjeton sektori privat dhe komuniteti i biznesit dhe jo çka thotë pulitka. Vetë fakti që kemi ikje të rinjve, vetë fakti që është humbur shpresa që në Kosovë mund të ketë ardhmëri dhe vetë fakti që Kosovë është shndërruar në një shtet për të ikur dhe jo për të qëndruara është mjerimi më i madh që i ka ndodhur Kosovës në vitet e fundit”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se edhe më ndarjet buxhetore për vitin 2024 është anashkaluar në tërësi sektori privat.

“Nuk kemi arsye që të jemi të lumtur me një buxhet prej 3 miliard e 143 milion euro. Duhet të kuptohet që Kosova ka nevojë për zhvillim Kosova ka nevojë për avancim në fusha të ndryshme, sidomos në ekonomi në arsim në edukim dhe në diplomaci ekonomike dhe politike. Qoftë se analizohet struktura e buxhetit të paraparë dhe të miratuar në Parlament është shumë më tepër një buxhet social sesa që është zhvillimor. Anashkalohet në tërësi partneriteti me sektorin privat dhe lind pyetja si mund të këtë fuqizim të sektorit privat në qoftë se nuk ka projekte kapitale të cilat janë të orientuar për implementim dhe ku sektori privat do të jetë bartësi kryesor i implementimit”, u shpreh Gërxhaliu.

“Vetëm në atë formë, mund të kemi grumbullim të buxhetit në mënyrë të mirëfilltë; të kemi fuqizim të sektorit privat, mund të kemi krijim të vendeve të reja të punës, prodhim dhe përmirësim të bilancit të pagesave”.

“Por parashikimet buxhetore për vitin 2024 lënë për të dëshiruar dhe ka shumë pak hapësirë për t’u realizuar. Vetë fakti që nga viti 2023 po barten në vitin 2024 shumë projekte të papërfunduara, po e shihni që ky buxhet është më shumë i orientuar në politika sociale, në vazhdim të projekteve të parealizuara në të kaluarën dhe ekonomia dhe sektori privat janë të anashkaluar. Kam drojën që buxheti është analizuar nga një regjion politik në veçanti, nga një buxhet i cili orientimin e vet në aspektin social, e dëshmon si një parapërgatitje për zgjedhje eventuale në vitin 2024”, ka thënë ai.

Të ngjashme