Kosova duhet të zbatojë Asociacionin për arsye të tjera, jo për KiE-në

Prishtinë | 30 Pri 2024 | 20:45 | Nga Shenoll Muharremi

Anëtarësimi në Këshillin e Europës: Cilat Janë Avantazhet Reale Krahasuar me Pazarin që i Kërkohet Kosovës?

Kjo tema rreth anëtarësimit në Këshillin e Europës është kthyer në pikën kryesor për Kosovën muajt e fundit. Tash edhe avancimi me Asociacionin e Komunave Serbe po kthehet në levë dhe kushtëzim për anëtarësim. Por a është aq i rëndësishëm dhe sa përfitojnë shtetet nga anëtarësimi?

Fillimisht duhet të vendosim kontekstin e duhur. Anëtarësimi në Këshillin e Europës është gjatë në agjendën e Kosovës dhe është pjesë e politikës së anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Ky definitivisht nuk është ‘Nëna e Anëtarësimeve të Kosovës’ si po paraqitet e trajtohet. Ndoshta më shumë ka të bëjë me ‘inatet’ e dy vendeve ballkanike, për shkak se askush nuk flet për përfitimet eventuale që Kosova mund të i ketë nga ky veprim.

Por ky synim nuk e ka peshën e psh anëtarësimit në BE, NATO apo UN. Ndoshta është një anëtarësim i rangut të dytë. Mbase anëtarësimi në FIFA mund të ketë qenë më i rëndësishëm, dikush mund të argumentoj.

Duhet gjithashtu kjartësuar që Këshilli i Europës (KiE) nuk është një institucion i Bashkimit Europian. Shpesh herë në publik Këshilli i Europës kuptohet si Këshilli Europian. Ndoshta shumica absolute i përziejnë këto dy institucionet.

Përpos që KiE nuk është një institucion i BE, ajo nuk ka as përfitime të mëdha. Nuk ka përshembull buxhet e investime dhe grante sikurse BE. Nuk ka politika zhvillimore as ekonomi. Përfitimi praktik i qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës është minimal nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës.

KiE është një mekanizëm pan-europian që merret me promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Vendet përfitojnë nga mbështetja ligjore nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe nga Komisioni i Venedikut. Vendet gjithashtu përfitojnë nga shkëmbimi i eksperiencave sidosmos në fushën e mbrojtjes së pakicave dhe të drejtat e njeriut. Por pak a shumë me kaq përfundojnë përfitimet praktike.

Kuptohet, anëtarësimi i Kosovës në KiE ka një peshë edhe për konsolidimin e Kosovës ndërkombëtarisht dhe kjo ndikon gjithashtu indirekt në forcimin e integritetit territorial. Por nuk ka, në përgjithësi, një peshë që po i ipet në diskursin politik, diplomatik dhe publik muajt e fundit.

Për Kosovën, anëtarësimi në KiE është i rëndësishëm por nuk është fundamental në asnjë mënyrë dhe formë. As avancimi dhe rritja e zhvillimi i Kosovës nuk mvaret nga ky veprim. Rrjedhimisht, Kosova nuk duhet të bëjë kompromise rreth asociacionit për anëtarësim në KiE.

Kosova duhet të zbatojë Asociacionin për arsye të tjera, nëse mendon se është veprim i duhur. Por asesi zbatimi i asociacionit nuk është një pazar i mirë për Kosovën kur bëhet fjalë anëtarësimi në KiE. Andaj, nuk ka arsye dhe as logjikë e benefite që ky anëtarësim të trajtohet si një pozicion maksimalist i diplomacisë së Kosovës karshi apo si levë me Asociacionin.

Të ngjashme