Kërkohet më shumë angazhim për ta rehabilituar Mjekësinë e Punës

Prishtinë | 30 Pri 2024 | 14:40 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale fillimisht ka raportuar Albert Lila drejtor i Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, raporton Ekonomia Online.

Lila ka thënë se ka degraduar situata deri atje ku vizitat sistematike kryhen në institucione që janë të licencuara, por që janë private.

“Në planin afatgjatë ne do ta bëjmë specializimin sa ma atraktiv për mjekët e rinj. Sot ka degradu situata deri atje ku vizitat sistematike kryhen në institucione që janë të licencuara por që janë private. Kërkesat dhe normat e kualitetit të shërbimit shkojnë deri atje ku bëhen analiza dhe një vizitë familjare dhe i thuhet që je i aftë me vazhdu punën. Sa për informatën e tuaj nga 400 mijë të punësuar që janë në Kosovë, që janë të regjistruar në ATK në vitin 2023, 6850 punëtor kanë kryer vizitën sistematike që i bjen më pak se 1.5%. Çdo i punësuar në Kosovë si në sektorin publik dhe privat duhet të kryej një vizitë sistematike një herë tri vite. Përjashtuar këtu kategori të veçanta si zjarrfikësit që duhet me kry një herë në vit.  Mjekësia e punës në Kosovë duhet që në nivel vendi të qaset problemi, të organizohet në nivel vendi që çdo regjion të këtë një dispanzer. Po duam me zbatu ligjin dhe normat ligjore që kanë vendet e rajonit dhe vendet që janë integruar në BE”, ka thënë Lila.

Ndërsa, Qefsere Gashi specialiste e Mjekësisë së Punës në Obiliq ka thënë se te ne punëtori nuk ka dinjitet. Ajo ka theksuar se punëtori në KEK e ka humb shëndetin dhe del pa asnjë pikë dinjiteti. 

“Këtu te na punëtori nuk ka dinjitet. Punëtori që 14 vjet në KEK e ka hup shëndetin dhe del pa asnjë pikë dinjiteti.  Ai është i përulur para familjes para shoqnisë dhe vetvetes. KEK-u me industri të rëndë që prin me numrin e lëndimeve, statistikat i dimë. Na nuk e kemi mjekun afër, nuk e kemi ambullantën brenda për brenda. Kur është institucioni brenda fabrikës atëherë edhe orët e humbura janë më të vogla. Nuk e di pse KEK-u nuk e sheh të arsyeshme me na pas neve për  vizitë sistematike. Punëtorët në industrinë e randë duhet të organizojnë një herë në vjet  vizita  në bazë të rrezikshmërisë. Si mjeke punës, një punëtor  në qoftë se u punësu ma pak se ni vjet me ia lyp ertifikatën mjekësore, me thon kush të ka shti ty në punë vlla, vjen me epilepsi çka me bo tash. Tash kush janë këta trima që i shtin  punëtorët pa asnjë dokument mjekësor me punu”, ka thënë Gashi.

Armend Zemaj deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i këtij komisioni ka thënë se  dëgjojmë raste ose bëhemi adresa e parë ose e dytë e një kërkese për ndonjë ndihmesë sidomos kur kemi të bëjmë me punëtorët që kanë sëmundje që janë edhe specifike që quhen profesionale.

“Zgjidhje e vetme është ligji i ri. Me këtë pjesën e partneritetit publiko private, të shohim duke marrë parasysh që ka të bëjë me shëndetin publik ose shëndetin e punëtorëve sepse ne dëgjojmë raste ose bëhemi adresa e parë ose e dytë e një kërkese për ndonjë ndihmesë sidomos kur kemi të bëjmë me punëtorët që kanë ose marrin pasoja të sëmundjeve që janë edhe specifike që quhen profesionale. Deri te nivelet më të larta deri te sëmundjet më të rënda që bien pre nga vendi i punës. Na duhet me u marr seriozisht. Mendoj që është stërgjatë ky proces kohët e fundit është përshkallëzu edhe më keq raporti me KEK-un me privatizimin. Mendoj që duhet një përkrahje e të gjithë neve ndoshta ma serioze dhe insistim nuk po them presion po insistim tek ministria Shëndetësisë”, ka thënë Zemaj.

Deputeti i LVV-së, Mirsad Shkreta ka thënë se janë të vetëdijshëm edhe si deputetë edhe si qytetarë për rëndësinë e ligjit.

“Mendoj që kjo temë nuk ka marrë adresim adekuat. Përveç që e dimë rëndësinë ne kemi edhe familjarë të cilët janë invalidë të luftës, as plumbi nuk ja u ka marrë jetën. Jemi të vetëdijshëm edhe si deputetë edhe si qytetarë për rëndësinë unë mendoj që duhet ti japim një dimension tjetër edhe akomodimit në ligj. Duhet përfshi edhe Obiliqin edhe Qendrën në Gjakovë dhe mendoj që ndoshta duhet të zgjerohet pak gama në kuptimin e institucionit që do të bëhet në ligj”, ka thënë Shkreta.

Deputeti i nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli ka thënë se Mjekësia e Punës ka lidhje më shumë me Mjekësinë Familjare se me Mjekësinë Sportive. Ai ka theksuar se mund të ketë edhe me Mjekësinë Sportive por mjeku familjar është një mjek në kuptimin e konceptit të përgjithshëm shëndetësor.

“Unë deshta të jap një mendim rreth organizimit të Mjekësisë së Punës. Mjekësia e Punës ka lidhje më shumë me Mjekësinë Familjare se me Mjekësinë Sportive. Mund  të ketë edhe me Mjekësinë Sportive por mjeku familjar është një mjek në kuptimin e konceptit të përgjithshëm shëndetësor. Por të njëjtën kohë mjeku i punës është një mjek që duhet ta njohë në tërësi mjekësinë me aspekt veçantë ndikimin e dëmtimeve të jashtme që vijnë nga vendi punës. Sidoqoftë në këtë drejtim mendoj që këto dy koncepte mund të na ndihmojnë. Por unë mendoj që duhet të këtë një bashkëpunim dhe një koordinim të këtyre koncepteve politike që kanë qëllimin e njëjtë”, ka thënë Avdyli.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kur kemi 1.5 përqind vizita sistematike, s’mundemi me fol për dështim të sistemit ai ka thënë se mund të flasin për vështirësi e pengesa.

“E rëndësishme për ne ka qenë që të takohemi për të parë saktë gjendjen shëndetësore të punëtorëve në Kosovë. Në prag të kësaj feste për të parë të arriturat dhe sfidat. Kur kemi 1.5 përqind vizita sistematike, s’mundemi me fol për dështim të sistemit. Mundemi me fol për vështirësi e pengesa e për të ardhmen si me përmisu”, ka thënë Haxhiu.

Skender Krasniqi nga “Labyrinth” me qendër në Obiliq ka thënë se janë në gjendje alarmante dhe se familjarët e punëtorëve sipas tij, po vuajnë.

“Na jemi gjendje alarmante. Familjarët e punëtorëve po vuajnë. Fjalori jem nuk është politik është tamam i një qytetari të thjeshtë. Na nuk jena ardhë as me shit men as me iu livdu dikujt, po me tregu realitetin. Instituti i Mjekësisë së Punës është në gjendje alarmante, hajdi edhe shihni qysh punojnë në Mjekësi të Punës”, ka thënë ai.

Në fund anëtarët e komisionit u dakorduan që ti adresojnë  kërkesat e tyre me shkrim.

Të ngjashme