Gërxhaliu: Rinia është thesari më i madh i vendit

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 16:37 | Nga

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, mbajti ligjëratë para studentëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) me temën “Investimi në Edukim cilësorë, garancë e ardhmërisë suaj”.

Fillimisht, kryetari Gërxhaliu është pritur nga rektori i USHAF, Agron Bajraktari, dhe në këtë takim është biseduar rreth lidhjes së ekonomisë me arsimin, programeve studimore në Universitet, marrëveshjeve që janë nënshkruar tashmë nga Universiteti për partneritet me institucione si motra në vend dhe më gjerë si dhe për orientimin drejtë sigurimit të mundësive për punën praktike të studentëve,  përmes marrëveshjevë të bashkëpunimit sikur edhe ajo me Odën Ekonomike të Kosovës.

Ndërsa, duke folur për ekonominë e vendit, para studentëve, Gërxhaliu vuri në pah sfidat me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare e në veçanti theksoi papunësinë e madhe në vendin tonë, edhe përkundër faktit që kemi një popullsi shumë të re dhe dinamike në krahasim me vendet tjera.

Gjatë ligjëratës, Gërxhaliu ka folur për rëndësinë e sektorit privat dhe investimeve në mbështetje të prodhimit vendor, e në veçanti për ngritjen e dozës së nacionalizmit ekonomik që për fat të keq nuk është në nivelin e dëshiruar.

Ai tha se konsumimi i tyre do t’iu japë mundësi më të mëdha prodhuesve që të zhvillojnë bizneset e tyre dhe të punësojnë më shumë njerëz, ndërsa përmendi edhe faktin se për Kosovën është shqetësuese të vazhdojë me eksportin e parave të gatshme duke favorizuar importet dhe shndërrimin e shoqërisë kosovare në shoqëri të varur nga importi.

Kryetari i OEK theksoi se rinia është thesari më i madh që e kemi dhe studentët e saj duhet të jenë të përgatitur për sfidat e integrimit ekonomik dhe ata duhet të jenë bartës të zhvillimit ekonomik në të ardhmen.

Po ashtu, Gërxhaliu theksoi se studentët e USHAF-it janë me fat që kanë zgjedhur programe studimi pranë këtij universiteti të cilat do t’ua mundësojnë atyre kyçjen më të shpejtë në tregun e punës bazuar në nevojat e tij.

Në këtë drejtim, ai ka premtuar se do të angazhohet që studentët të kenë mundësi të kyçen sa më shumë në biznese vendore me qëllim të kryerjes së një pjese praktike si parakusht i ndërlidhjes së aspektit teorik dhe praktik.

Në fund,  Gërxhaliu theksoi se ndërkombëtarizimi i ndërmarrësisë kosovare dhe integrimi ekonomik, nuk kanë alternativë “dhe sot kur e pashë këtë universitet në standarde evropiane dhe me një staf akademik konkurrues jam optimist se rruga drejt familjarizimit evropian ka marrë kahen e pakthyer. Jam i befasuar pozitivisht me këtë që pashë sot dhe po ndahemi për t’u takuar sërish”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme