Në 36-vjetorin e themelimit të LDK-së, tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova homazhe bëri edhe kandidati për deputet nga kjo parti gjenerali Gëzim Hazrolli i cili tha se LDK me kuadrot e saj ka kontibuar për në luftë, në paqe dhe në shtetformimin e Kosovës.
“Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës shënon 36-vjetorin e krijimit – një përvjetor që mbart histori, vizion dhe përgjegjësi shtetformuese. LDK, me kuadrot e saj, ka kontribuar në luftë, në paqe dhe në shtetformimin e Kosovës, e cila sot gëzon pavarësi të njohur nga shtetet më të fuqishme të botës. Ky kontribut historik është themel i shtetit tonë dhe dëshmi e një rruge të ndërtuar me mençuri, durim dhe përgjegjësi. Në këtë ditë, shpreh mirënjohjen time të thellë për liderin historik të LDK-së, njeriun që lidhi aleancat më të fuqishme botërore dhe hapi dyert për njohjen ndërkombëtare të çështjes së Kosovës. Ky vizion politik mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë”, ka thënë ai.
Ai është shprehur se “Në këtë 36-vjetor të LDK-së, i jam bashkuar kësaj partie shtetformuese me respekt dhe përgjegjësi për hapësirën që më ka krijuar dhe për vlerat që përfaqëson, vlera që përputhen me atë që kam mësuar nga një jetë e tërë në shërbim të atdheut”.
