Kuvendi Komunal i Gjakovës, sot ka mbajtur mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit, ku para hedhjes në votim të rendit të ditës, kryesuesi Luan Gola ka propozuar që të hiqen dy nga pikat e propozuara në agjendë. Bëhej fjalë për pikën e rendit të ditës që kishte të bënte me shqyrtim-propozimin e vendimit të kryetares së Komunës, Mimoza Kusari-Lila, për dhënien e pronave të paluajtshme komunale (lokaleve) në shfrytëzim afatshkurtër, pasi ende është në procedurë, si dhe të pikës së shqyrtimit të draft-rregullores për themelimin dhe përgjegjësitë e njësisë për menaxhimin e “Çarshisë së Madhe”.
Për këtë tërheqje, kryesuesi Luan Gola theksoi se bëhet për shkak të harmonizimeve ligjore. Këto dy pika edhe u tërhoqën nga pikat e rendit të ditës me miratimin unanim të të gjithë asamblistëve. Ndërkohë, nga opozita u kërkua që në rend të ditës të hyjë shqyrtimi për transportin e nxënësve. Që edhe u miratua, ndërkaq, kërkesa tjetër lidhur kërkesën e komunitetit protestant për ndarjen e hapësirës për varreza, u vendos që të paraprakisht të trajtohet në Komitet për Politikë dhe Financa.
Në seancën e sotme, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë informatën rreth planit të punës për vitin 2017, komfor buxhetit komunal të miratuar nga Kuvendi Komunal si dhe të investimeve nga donatorët dhe participimet. Para se të jepte detajet për secilën drejtori, kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditura projektet më të rëndësishme që së shpejti fillojnë të implementohen.
Sipas saj, këto janë projektet me vlerën më të madhe, që në komunën e Gjakovës nuk janë investuar prej vitit 1981. Në këtë kontekst, ajo ka veçuar ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në vlerë prej 16.8 milionë euro, e cila do të realizohet në bashkëfinancim nga Banka Gjermane për Zhvillim, shteti i Zvicrës, Komuna e Gjakovës, Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Projekt tjetër me rëndësi do të jetë ndërtimi i ngrohtores së re të qytetit, në shumë prej 12 milionë euro, ku do të bashke financojnë Komisioni Evropian, Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Energjia efiçente do të jetë investim tjetër i sivjetshëm në shumë prej 7.5 milionë euro në bashkëfinancim të Bankës Gjermane për Zhvillim në partneritet me institucionet e Kosovës. Gjithashtu, si projekte me vlerë të konsiderueshme, nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila janë përmendur projektet në bashkëpunim me programin Helvetas/Demos, ku nga vet Helvetas/Demos dhe Komuna e Gjakovës do të investohet në vlerë prej 866,943 euro.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, këshilltari në kabinetin e kryetares, Ali Tafarshiku ka prezantuar draft-planin për banim social për vitet 2017-2019 në komunën e Gjakovës, duke pohuar se hapi i parë për thirrje publike për 81 familje në tri banesa, mandej ndërtimi i shtëpive individuale përmes donatorëve, shqyrtimi i meremetimit të banesës ne rrugën “Tirana” që i është dërguar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mandej ndërtimi i dy banesave sociale, etj. Kjo pikë është miratuar nga këshilltarët komunal.
Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ka bërë të ditur para këshilltarëve komunal se nga planifikimi fillestar i rishikimit të të hyrave vetjake të Komunës së Gjakovës në shumë prej 3, 052,800.00 euro, janë realizuar më tepër në shumë prej 152,000.00 euro, apo në tërësi si plan final 3,204.800.00 euro. Prandaj, ka kërkuar nga këshilltarët komunal që shuma më tepër e inkasuar të merr miratimin e sotëm për shpërndarje, që edhe u miratua.
Në vazhdim, Luan Gola, kryesues i Kuvendit Komunal ka kujtuar se Komisioni për Emërtimin e Rrugëve në Komunën e Gjakovës është themeluar në mars të vitit 2014. Mirëpo, për shkak se në zyrën e kryesuesit kanë arritur 125 ankesa të ndryshme, kryesisht teknike, prandaj nga z. Gola është kërkuar autorizimi i këtij komisioni për shqyrtimin e këtyre ankesave dhe kërkesave në afat prej tridhjetë ditësh, që edhe gjeti mbështetjen e kuvendarëve, që po ashtu edhe u miratua.
Për problemet e transportit të nxënësve e cila hyri si pikë e rendit të ditës, Diana Çarkaxhia, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit ka bërë të ditur se për shkak të dështimit të tenderëve, të shpallura tri herë, e kjo për shkak të papërgjegjësisë të operatorëve ekonomik të cilat po manipulojnë, ka mbetur ende mossigurimi i transportit. Këtë pohim, drejtoresha Çarkaxhia e mbështeti në faktin se çmimi është sipas kritereve të tregut edhe në komunat tjera dhe se në tenderin e tretë të hapur në janar e që rezultoi me dështim, kanë qenë të ndara 123 mijë euro për nëntëdhjetë ditë pune.
Para fillimit të mbledhjes së asamblesë komunale, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka mbajtur një takim me përfaqësues të prindërve nga pjesë të ndryshme të komunës së Gjakovës, me të cilët po ashtu ka biseduar në lidhje me transportin e nxënësve.
Edhe kryetarja Kusari – Lila ka konfirmuar gatishmërinë e komunës për sigurimin sa më të shpejtë të transportit për nxënësit, ndërsa ka hedhur dyshimet për neglizhencë të qëllimshme nga ana e disa prej operatorëve ekonomikë, të cilët qëllimisht po dëshirojnë ta bllokojnë procesin, më qëllim të përfitimeve të caktuara politike.