Në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë nuk mungojnë dhuruesit nga ata që janë të rregullt e deri te familjarët që në raste emergjente japin gjak.
Doktoresha kujdestare Sanie Tërrnava-Uka, në një intervistë për Ekonomia Online, ka treguar për procedurën nga dhurimi i gjakut deri te faza e fundit e cila është pranimi nga pacienti.
Ajo tha se faza e parë pas marrjes së gjakut nga dhuruesi është ndarja në trombocite, plazma dhe rruazat e kuqe të gjakut, duke u bërë edhe një numër i madh i testeve të nevojshme.
Tërrnava-Uka ka garantuar se gjaku i kalon të gjitha procedurat e testimit dhe se është i sigurt për tu marrë nga qytetarët.
“Prej dhurimit deri te marrja është një procedurë e gjatë. Së pari merret gjaku, mandej fillon ndarja nëse ka nevojë për trombocite ndahet në trombocite, plazma, dhe rruazat e kuqe të gjakut”.
“Mandej punohet grupi e gjakut, testet serologjike, testet bakteriologjike tash për Covid dhe punojmë edhe testet më të sofistikuar që e zbulon fazën e hareshme të infeksionit te këto testet serologjike që i bëjmë”.
“Është një kohë pakë më e gjatë. Sa më shumë teste që bëhen periudha është më e gjatë se secili test e ka kohen e caktuar, por në raste urgjente kur vetëm janë në pritje mundemi krejt procedurat për menjëherë”.
Përderisa qytetarët thonë se i besojnë testimit dhe përpunimit të gjakut. Gjevdet Podrimaj tha se pasi që jemi në fazën e pandemisë përpunimi i gjakut duhet të jetë strikt.
“I besojë shumë gjakut të cilin e marrim dhe japim. Edhe pse duhet me qenë pak më strikte sepse munden me u bart edhe sëmundje përmes kësaj por po”, tha Podrimaj.
Ndërsa Farmire Rexha-Safqi tha se gjakut të dhuruar i beson, por thotë se nëse dikush i infektuar me virus nuk duhet të jap gjak.
“Nëse e kemi virusin në gjak normal që nuk jepet. Kontrollimit të gjakut i besojë mjaftueshëm, institucioni shëndetësorë, transfuzioni i gjakut është mjaft i sigurt”.
Përderisa Bajram Bekolli thotë se ekipet mjekësore janë në nivel të kënaqshëm, raporton Ekonomia Online.
“Me këto kushte që i kanë ekipet mjekësore dhe spitalore janë në nivel shumë të kënaqshëm. Realiteti është që kanë eksperiencë dhe janë të përkushtuar për punë. Nuk varët vetëm prej faktorit teknik dhe medicinal, por edhe prej reagencave”.
Kurse Shaqir Begu tha se duhet të verifikohet mirë se a ka ndonjë sëmundje të transmetueshme personi i cili dhuron gjak.
“Varet nga përgjegjësit që e marrin gjakun dhe një person nëse nuk është i verifikuar se a ka ndonjë sëmundje nuk ja kisha preferua me ju marr gjaku atij personi”, tha Begu.