Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka organizuar të martën një punëtori në Pejë për promovimin e transparencës, informimit dhe komunikimit në komunat e rajonit të Pejës.
Në këtë punëtori është trajtuar çështja e hartimit dhe zbatimi i strategjive komunale dhe planeve gjegjëse të veprimit, me fokus të veçantë përmirësimi i komunikimit ndërmjet drejtorive komunale dhe komunës me publikun, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Jo vetëm komunikimi i jashtëm i komunës, por edhe komunikimi i brendshëm mes departamenteve është një parakusht për ofrim të shërbimeve efikase dhe transparencë ndaj qytetarëve”, u ka thënë pjesëmarrësve në këtë punëtori, Sinisa Bencun, zyrtar i Lartë për Demokratizim në OSBE.
Komunikimi mes drejtorive komunale është vlerësuar si e rëndësishme nga zyrtarja e lartë e programit për transparencë dhe komunikim në OSBE, Francesca Damiani. Ndërsa Djellor Gashi nga Ministria ne Administrimit të Pushtetit Lokal, tregoi se transparenca përbën një nga prioritetet kryesore të kësaj ministrie dhe se për këtë arsye, sipas tij, ministria i ka kushtuar shumë rëndësi.
Prezantuesja e këtij raporti, Sabina Mehmedoviq, zyrtare nacionale e Programit në OSBE, tha se komunikimi i brendshëm në këto komuna është shumë problematike.
Gjashtë komuna të këtij rajoni çalojnë në komunikim të brendshëm dhe me publikun.