Pandemia ka goditur ekonominë lokale të Gjilanit. Pushteti komunal vlerëson se shkalla e papunësisë është rritur dhe deri tani janë lajmëruar si të papunë mbi 3 mijë qytetarë, raporton KOHA.
Përveç menaxhimit të krizës shëndetësore, tani Komuna do të merret me pasojat të cilat i ka shkaktuar kriza në ekonominë lokale, ku sektori më i goditur është sektori privat dhe për këtë qëllim është krijuar edhe një grup punues.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaron se niveli i papunësisë është rritur për 30 për qind.
“Sipas vlerësimeve të hershme, është rritur numri i papunësisë me mbi 3 mijë qytetarë që janë lajmëruar për 60 ditë, praktikisht në këtë lëvizje qarkore është rritur papunësia 30 për qind në Gjilan. Është shqetësuese, por shërbimet si sektori zhvillimor në komunë janë goditur nga pandemia dhe natyrisht këto shkaktojnë rritjen”, ka thënë Haziri.
Ai beson se masat të cilat do të ndërmerren nga institucionet do të ndihmojnë në përballimin e pasojave të shkaktuara në ekonomi.
Ndërkaq qytetarët vlerësojnë pozitivisht punën e Qeverisë në menaxhimin e krizës.
Ata deklarojnë se për gjendjen e rëndë ekonomike në të cilën gjendet Kosova janë fajtorë ata të cilët kanë qeverisur në të kaluarën Kosovën, të cilët i fajësojnë për keqpërdorimin e buxhetit.
Gjilani është një nga qytetet më të prekura nga Covid-19.