Policia e Kosovës në raportin për 24 orët e fundit ka evidentuar dy raportime për gjetjen e mjeteve shpërthyese, në Suharekë dhe në Ferizaj.
Në fshatin Duhël të komunës së Suharekës një ankues mashkull i komunitetit shqiptar, ka njoftuar se në murin e oborrit të shtëpisë së tij ka gjetur një mjet të dyshuar shpërthyes.
Njësia policore ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa njësia e FSK-së, ka tërheqë mjetin e dyshuar shpërthyes në mënyrë të sigurt dhe pa probleme.
Edhe në parkun “Iliria” në komunën e Ferizajt një tjetër ankues mashkull i komunitetit shqiptar ka njoftuar se kishte hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes.
Edhe në këtë rast njësia policore ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa njësia e FSK-së ka bërë shpërthimin e mjetit në mënyrë të kontrolluar.