Trupat e tre alpinistëve profesionistë, në mesin e të cilëve ishin dy austriakë dhe një amerikan, janë gjetur të dielën pasi ata ishin zhdukur pas shembjes së një orteku. Lajmin e bëri të ditur Agjencia për Parqet Kombëtare e këtij shteti.
Amerikani Jess Roskelley, 36-vjeçar, dhe austriakët Hansjorg Auer, 35-vjeçar, e David Lama, 28-vjeçar, u zhdukën të martën e kaluar në parkun kombëtar “Banff”. Autoritetet kanadeze e kryen një kërkim me helikopterë një ditë më vonë.
Tre alpinistët po përpiqeshin të ngjiten në pjesën lindore të malit Howse Pass, tek e cila shkohet përmes një rruge të izoluar dhe shumë të vështirë.
“I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet dhe miqtë e tyre. Ky rast ka pasur ndikim të madh në komunitetet vendore dhe ndërkombëtare të ngjitjes”, thuhet në deklaratën e autoriteteve kanadeze.
Roskelley ishte i biri i John Roskelleyt, i cili vlerësohej si një nga alpinistët më të mirë të gjeneratës së tij. Baba e bir ishin ngjitur bashkë në majën më të lartë në botë në vitin 2003. Në atë kohë, alpinisti i ri ishte vetëm 20 vjeç dhe ishte bërë personi më i ri që e kishte arritur këtë sukses, shkruan “The Guardian”.