Zyrtarët hungarezë njoftuan të hënën se një trup i njeriut është nxjerrë nga Danubi më shumë se 100 kilometra larg vendit ku kishte ndodhur aksidenti me anije. Kjo është një tjetër viktimë që është gjetur pas përplasjes së anijes ku besohet se kanë vdekur 28 njerëz.
Zhytësit hungarezë dhe koreanë u përgatitën të hënën për t’i gjetur dhe për t’i nxjerrë trupat e njerëzve të fundosur nga anija Mermaid, e cila u përmbyt të mërkurën e kaluar. Në këtë anije ndodheshin 33 turistë nga Koreja Jugore dhe dy anëtarë hungarezë të ekuipazhit.
Trupat e shtatë turistëve koreanë u nxorën nga uji natën e fatkeqësisë, ndërsa shtatë persona u shpëtuan të gjallë. Nëntëmbëdhjetë turistë tjerë koreanë dhe dy anëtarët e ekuipazhit janë shpallur të zhdukur.
“Jemi duke bashkëpunuar me kolegët koreanë, ky tashmë është operacion i përbashkët”, tha Janos Hajdu, udhëheqës i qendrës hungareze kundër terrorizmit, TEK.
Në pamjet e siguruara nga vendi ku ndodhi aksidenti mes dy anijeve shihet se anija më e madhe e godet anijen më të vogël dhe ato vazhdojnë lundrimin nën një urë, shkruan “Reuters”.