Përmbytet barka me imigrantë në Danub, gjashtë të zhdukur

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtar i qeverisë serbe tha të hënën se gjashtë imigrantë janë zhdukur dhe llogariten të vdekur pasi barka me të cilën po përpiqeshin në hynin në territorin e Kroacisë u përmbyt në lumen Danub.

Sipas këtij burimi, dy grupe të imigrantëve me dy barka u munduan ta kalojnë lumin “Danub” afër fshatit serb të Karavukovës dhe të hyjnë në Kroaci, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian.

“Në barkën e përmbytur ishin dy familje nga Iraku dhe Siria me katër persona të rritur dhe dy fëmijë. Po frikësohemi për më të keqen”, tha një zyrtar qeveritar, duke shtuar se policia është duke e hetuar rastin.

Në muajt e dimrit, pjesa e lumit “Danub” afër kufirit me Kroacinë ka sasi më të madhe të ujit dhe vetëm disa peshkatarë lokalë kanë guxim të lundrojnë nëpër të me barka të vogla.

“Nëntë imigrantë nga barka tjetër ndodhen në një stacion lokal të policisë, ku po merren në pyetje”, tha zyrtari serb.

Zyra për shtyp e Komisariatit të Refugjatëve tha: “Ajo që ndodhi është e tmerrshme. Me keqardhje të madhe mund të themi se 20 imigrantë kanë vdekur këtë vit gjatë përpjekjeve për ta kaluar kufirin serb.”

Serbia ishte në qendër të krizës së imigrantëve në vitin 2016, kur qindra mijëra njerëz të shpërngulur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme udhëtuan përmes Ballkanit për të shkuar në vendet e pasura të Evropës Perëndimore.

Ndonëse kjo rrugë ishte mbyllur në vitin 2016, tash për tash në kampet qeveritare për imigrantët në Serbi ndodhen mbi gjashtë mijë imigrantë, shkruan “Reuters”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme