Ditën e sotme është gjetur trupi i pajetë i biznesmenit shqiptar në Greqi, Xhani Topalli i cili rezultonte i zhdukur që prej 28 gushtit.
Sipas mediave greke, një biznesmen 53-vjeçar i cili merrej me hoteleri, është personi i cili mendohet si autori i vrasjes së babait të tre fëmiëjve që jetonte në Rodos prej më shumë se dy dekadash.
Bëhet me dije se ka qenë vetë 53 vjeçari ai që ka kontaktuar policinë dhe ka rrëfyer krimin e bërë së bashku me vendin ku ndodhej trupi i pajetë i shqiptarit.
Biznesmeni shqiptar rezultonte i zhdukur që prej datës 28 gusht, kur pati një takim me hotelierin 53-vjeçar nga Kallithea, për t’i shlyer detyrimet sipas një marrëveshjeje që kishin lidhur.
Familja në denoncimin e saj pohoi se Topallin e kishin marrë peng, pasi makina e tij ishte gjetur e braktisur në një zonë, dhe se telefoni nuk i dilte më i hapur.
Autoritetet kanë vënë në pranga 53-vjeçarin, i cili pas marrjes në pyetje ka pranuar krimin e bërë.