Gjendja me zjarret në Prevallë nga një situatë emergjente fillon të evuluon në situatë tragjiko-komike.
Po bëhen afër dy javë nga kur Parku Nacional Sharri ka apeluar dhe reaguar për zjarrin në sipërfaqet e mbuluara me kullosa në Zonën e mbrojtur strikte të Oshlakut.
Por institucionet përveç Brigadës së Zjarrfikësve nga Komuna e Prizrenit kanë reaguar me vonesë.
Reagimi i institucioneve qendrore është tejet i vonshëm, dhe në konceptin e emergjencave është qesharake, intervenim pas 1 jave zjarre ?.
Në raste të tilla gjithmonë krerët deklarohen me justifikime të ndryshme,por që asnjëra nuk qëndron sikur deklarohen.
Tani zjarri është afruar 20m larg villave, dhe besoj që nuk do të menaxhohet lehtë evitimi i dëmtimit të tyre.
E dini përse ?!
Sepse nuk është menduar asnjëherë nga drejtoritë kompetente çështja e sigurisë, as një hidrant i mbushjes me ujë për kamionët e zjarrfikjes nuk gjendet afër, sepse kompetentët vite me radhë kanë qenë në hallin e çështjeve të tjera kuptohet.
Dje pasdite kaloja nga Prevalla, dhe shihej që vatra e zjarrit ishte duke u përhapur kah drejtimi i lindjes, që seriozisht është duke e rrezikuar një pjesë tjetër të parkut ( Zoti mos e bëft nëse vazhdon zjarri në atë drejtim, as aeroplanët e Natos nuk do ta kontrollojnë lehtë situatën).
Qesharakja dhe ironikja e kësaj pune është se institucionet në situata emergjente njësitë e tyre i kanë në terren vetem sa për sy e faqe, pa personel të mjaftueshëm dhe pajisje adekuate.
Njësi emergjente që funksionojnë vetëm me orar në raste emergjente, nuk kam dëgju ndonjë shembull të tillë, vetëm tek ne ndodh, Personeli, pajisjet dhe orari i operacioneve emergjente duhet planifikuar dhe menaxhuar nga institucionet, nuk ka justifikime të ndërpriten operacionet dhe institucionet me personel të largohen në pushim!
Gjithë po e diskutojmë punën e rrezikimit të pronës së qytetarëve, që tani po afrohet shtëpijave, por më e rënda është që askush nuk brengoset për shkatërrimin e pasurisë kombëtare të një pylli qindra vjeçar me Rrobull , kush do të përgjigjet për dëmtimin e pasurisë tonë kombëtare.
Tani zjarri është afruar në shtëpitë e villat e shumë ish pushtetarëve, e atyre që e kanë ngrënë çorbën e njëjtë duke e degraduar Prevallën me ndërtime e shumë gërryerje rrugësh pa kurrfarë kriteri, vetëm e vetëm për fryrjen e superegos së tyre!
Sa për kureshtje sa është fokusi në Prevallë, në zonën e Lubinjës së Epërme dhe të poshtme po priten pyje me hektarë, dhe po hapen rrugë me eskavator nëpër zonat e mbrojtura.