Që nga janari e deri në muajin dhjetor të këtij viti, në repartin e Leukemisë dhe Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, rreth 51 raste të fëmijëve janë paraqitur me sëmundje malinje. 25 prej tyre vuajnë prej leukemisë. Ndërkohë që ndihmë financiare për shërim jashtë vendit nga sëmundja e leukemisë kanë kërkuar 52 kosovarë gjatë gjithë vitit
‘Beso në dashuri, çudira dhe lumturi”, ky është mesazhi i cili i bie në sy secilit pacient e vizitor në repartin e Hematologjisë, Leukemisë dhe Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK. Atë e kishte shkruar një vajzë e re që vuante nga leukemia pak para se ta humbiste betejën me këtë sëmundje të rëndë.
Krah bredhit e dritave të vendosura për festat e fund vitit, në korridorin e pavijonit të Hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, i cili çon te dhomat e fëmijëve, të cilët vuajnë nga sëmundjet malinje, gjendet një kornizë e cila brenda saj ka një mesazh mjaftë emocionues.
“Vlerësoje jetën dhe qëndroj asaj sepse ju jeni duke e jetuar këtë jetë”, kishte shkruar Dëshmore Kelmendi duke inkurajuar pacientët tjerë që ishin trajtuar aty. Dëshmorja nuk ia kishte dalë ta mposhtë sëmundjen e rëndë, duke vdekur para disa viteve në moshën 15 vjeçare. “Beso në dashuri, çudira dhe Lumturi! Shiko përpara dhe kurrniherë pas! Vlerësoje jetën dhe qëndroj asaj sepse ju jeni duke e jetuar këtë jetë” shkruante kjo paciente tashmë e ndjerë.
Fjalët e saj gjenden të vendosura që disa vite në muret e repartit të Hemato-onkoligjisë në Pediatrinë e QKUK’së.
Në dhomat përgjatë këtij korridori gjenden të shtrirë edhe dhjetëra fëmijë të tjerë që fatin e jetës së tyre ua kanë lënë në dorë mjekëve tanë. Sipas doktorëve të këtij reparti, përgjatë gjithë vitit në Repartin e Hematologjisë, Leukemisë dhe Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, janë diagnostikuar 51 raste të fmëijëve me sëmundje malinje.
Këtë fakt e ka dhënë për Gazetën Express, drejtoresha kryesore në këtë repart, Violeta Grajqevci. Ajo ka thënë se nga këto raste 25 fëmijë janë diagnostikuar me leukemi.
“Prej Janarit të këtij viti e deri në muajin Dhjetor në klinikën tonë i kemi të paraqitura 51 raste të fëmijëve me sëmundje malinje. Nga ta 25 janë raste me leukemi”, ka thënë ajo për Express.
Sa i përket furnizimit me barna, Grajqevci është shprehur se për momentin reparti i Hemato-onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK ka furnizim të qëndrueshëm. Shumica e barnave në këtë repart shkojnë nga ana shoqatave dhe donacioneve.
E një donacion që së fundmi ka gëzuar fëmijët që gjenden të shtrirë në këtë repart është edhe stolisja e bredhit të Vitit të Ri.
Organizata “cure2children” ka stolisur repartin me bredhin e Vitit të Ri dhe tullumbace. Në një postim në Facebook, në stolisje kanë marrë pjesë pacientët dhe stafi mjekësor.
“Faleminderit cure2children e Nicola Cardelli që për 10 vite bëjnë mrekulli në repart. Reparti është shumë i bukur sepse buzëqeshja dhe emocionet e fëmijëve e kanë bërë këtë bukuri edhe në bredhin e stolisur ku edhe sytë e tyre shkëlqejnë si dritat e festave te fundvitit”, ka shkruar Leonora Bajraktari nga kjo organizatë.
Kjo e fundit ndihmon fëmijët në këtë klinikë me barna të cilat mungojnë nga furnizimi i listës esenciale.
Ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar dhjetëra pacientë kosovarë, përfshirë edhe fëmijë kanë kërkuar shërim jashtë vendit vetëm nga sëmundja e leukemisë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga janari i këtij viti e deri në muajin dhjetor 52 kosovarë janë trajtuar nga leukemia dhe sëmundjet tjera malinje jashtë Kosovës. Afro 3 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për trajtim jashtë Kosovës vetëm për këto sëmundje.