Ka tre muaj që Pallati i Rinisë ka kaluar nën kompetencat e Komunës së Prishtinës, por as ky fakt nuk bëri që ta nxjerrë Pallatin e Rinisë nga kriza. Punëtorët tash e sa muaj nuk kanë marrë pagat e tyre, e gjithë kjo për shkak të borxheve që ka Pallati i Rinisë.
Ushtruesi i detyrës së Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli tha për Ekonomia Online se gjendja në Pallatin e Rinisë do të vazhdojë deri në momentin kur Komuna e Prishtinës t’i jap mjetet që i ka dedikuar për shlyerjen e borxheve.
“Në Pallatin e Rinisë po vazhdojnë aktivitete sportive e kulturore dhe ekonomike, përkundër asaj që punëtorët e pallatit të Rinisë ende po ballafaqohen me mungesën e marrjes së pagave, ato janë ende problematike dhe nuk është zgjidhje kjo çështje për shkak që përmbaruesit nuk po lëshojnë pe në këtë drejtim ende deri sa të dalin mjetet e Kuvendit Komunal të Prishtinës që i ka dedikuar për heqjen e borxheve të Pallatit të Rinisë. Të gjitha procedurat komuna e Prishtinës i ka marrë, ne po presim që po sa të definohet çështja e përmbaruesve se si dhe në çfarë mënyre do i marrin të hollat e tyre dhe me siguri do dalin edhe pagat, është një çështje ditësh ku ne po shpresojmë që definitivisht të zgjidhet edhe ky problem”, tha ai.
Dugolli tha se punëtorët shpesh kanë kërkesa të paarsyeshme duke mos i kuptuar procedurat administrative.
“Kryesisht kërkesat e punëtorëve ka qenë marrja e pagës, por tek punëtorët si zakonisht lindin pakënaqësi dhe kërkesa dhe ndonjëherë shpesh lindin edhe kërkesa të tjera të paarsyeshme duke mos i kuptuar procedurat administrative dhe ato të rregullta se si shkon puna. Nuk besoj që kjo çështja e bllokimit iu shkakton problem bizneseve, sepse punëtorët janë të informuar prej menaxhmentit që nuk guxon me pasë në çfarëdo mënyre interferencë pala e tretë pse ne ballafaqohemi me mungesë pagash, sepse ata nuk janë fajtorë për gjendjen e krijuar në Pallatin e Rinisë, ne iu ofrojmë shërbime, në përjashtim ato ditë që ka pasë grevë, megjithatë punëtorët me mirëkuptim kanë arrit me i kuptu këto gjëra”, tha ai në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas Dugollit çelësi i zgjidhjes së problemit të Pallatit të Rinisë përkohësisht janë kreditorët.
“Nuk ka 4 muaj që ata nuk marrin paga, por dy muaj sepse në kohën kur ka qenë greva ata e kanë marrë një pagë pas shumë negociatave që i kam zhvillu me kreditorë, kreditorët janë çelësi i zgjidhjes së problemit përkohësisht, deri sa të dalin të gjitha mjetet për ta, në këtë kontekst punëtorët kanë arrit një mirëkuptim ta ndalin grevën, meqenëse në ndërkohë ka kalu në Kuvendin Komunal ajo pjesa për tu rivotuar prapë për shkak të disa procedurave që ka pasë ngecje, ato ngecje kanë qenë në aspektin procedural dhe në këtë kuptim punëtorëve tanë iu ka humb besimi e me siguri kanë pasë edhe frikë që nuk do votohet e të tjera, por kur e kanë kuptu që e kanë votu është ndërpre greva”, tha Dugolli.
Ai thotë se për të filluar implementimi i projekteve të premtuara nga Komuna e Prishtinës për rimëkëmbjen e Pallatit të Rinisë duhet së pari të bëhet debollokimi i llogarisë bankare të Pallatit të Rinisë dhe tu ipen paratë e premtuara kreditorëve.
“Me Komunën në Prishtinës, në fakt bashkëpunimi me bordin i cili është kriju është shumë i mirë, është një bord që i kupton situatat, në pjesët e tjera tek puna e projekteve zhvillimore, ne nuk presim njëherë që të bëhet implementimi i projekteve pa u bërë debllokimi i llogarisë bankare të Pallatit të Rinisë, pasi që nuk mund të zhvillohen projektet pa u bë debllokimi, fillimisht duhet të bëhet debllokimi dhe të ipen paratë e premtuara për kreditorët pastaj të vjen në konsideratë faza tjetër e implementimit të projekteve që i ka parashikuar, kryetari Ahmeti me strukturat e tij komunale. Pritet që këtyre ditëve të bëhet debllokimi”, tha tutje ai.
Pallati i Rinisë prej muajit dhjetor ka kaluar nën udhëheqjen e Komunës së Prishtinës, ndërsa kreditorët përmes përmbaruesve i kanë bllokuar xhirollogaritë deri në shlyerjen e borxheve që ndërmarrja i ka.