Gjendja në Shkup sot është e qetë pas protestave të mbrëmshme para Kuvendit kundër marrëveshjes për emrin, që u përshkallëzuan në dhunë mes protestuesve dhe Policisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë përplasjeve mes Policisë dhe protestuesve janë lënduar shtatë pjesëtarë të sigurisë dhe dy protestues, ndërsa janë ndaluar 25 të tjerë.
Protestuesit, ndërkohë kanë akuzuar Policinë për brutalitet, ndërsa thonë se protesta e tyre nuk do të ndalet deri në, siç thonë, zhbërjen e “marrëveshjes katastrofave” që rrënon identitetin maqedon.
“Le ta dinë se me marrëveshjen në Prespë, Maqedonia është rrënuar…Qeveria tradhtare e kryeministrit Zoran Zaev po tenton që të shkatërroëj Maqedoninë. Po,r ne maqedonasit nuk do të lejojnë të varrosin shtetin tonë. Maqedonia do të mbijetojë pasi ne ende jemi gjallë”, thotë, një nga drejtuesit e protestës.
“Shteti nuk jepet, do të bëjmë gjithçka të mundur që të parandalojmë këtë marrëveshje. Nëse kjo kalon, ne do të jemi askush, nuk do të kemi as emër, as identiteti e as shtet”, thotë Nikolla Stojanovski, një tjetër protestues.
“Me këtë marrëveshje ne e humbin Maqedoninë, vetëm këtë mund ta them. Këtë nuk duhet ta lejojmë, Qeveria do të bartë përgjegjësi të madhe para popullit për këtë që po bënë”, thonë Stojanço Debarliev, protestues.
Protesta kundër marrëveshjes, të dielën, pati edhe në Manastir në organizim të VMRO-DPMNE-së opozitare. Lideri i saj, Hristijan Mickovski tha se marrëveshja paraqet “kapitullim” ndërsa akuzoi kryeministrin, Zoran Zaev për “tradhti kombëtare”.
Mickovski tha se partia e tij me të gjitha format e mundshme do të pamundësojë zbatimin e marrëveshjes.
Por, pavarësisht protestave, Qeveria është e vendosur për të çuar përpara procesin. Ajo tashmë ka kaluar propozim-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes dy shteteve, i cili në procedurë parlamentare do të gjendet në seancën e ditës së mërkurë. Propozimi është dërguar me shenjën evropiane, që nënkupton miratimin e tij në procedurë të përshpejtuar.
Marrëveshja që parasheh emrin “Maqedonia e Veriut” u nënshkrua në Prespë, në pjesën e Greqisë. Me të përcaktohen edhe çështjen që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin, me çka pala maqedonase heq dorë nga çdo lidhshmëri me Maqedoninë Antike apo kulturën e saj, ndërsa pranon se gjuha maqedonase i takon grupit të gjuhëve sllave.
Marrëveshja nëse zbatohet zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkim Evropian.