Gazeta serbe Alo në numrin e sotëm shkruan se dy gjeneralë të pensionuar kroatë janë duke e ndihmuar Kosovën në formimin e ushtrisë dhe sapo të zgjedhet Ramush Haradinaj kryeministër, ekziston një plan që Forca e Sigurisë së Kosovës të kthehet në ushtri, njofton Klan Kosova.
Është fjala për Ante Gotovina, gjeneral-lejtnantin kroat në pension dhe Mladen Markaq, gjeneralin në pension që ishte udhëheqës i forcës speciale policore kroate.
Sipas Alo, tashmë planet për shndërrimin e FSK-së në ushtri janë edhe në letër dhe krejt çfarë po pritet është zyrtarizimi i Haradinajt kryeministër.
Kjo e përditshme serbe vazhdon shkrimin duke siguruar lexuesit e saj se ka në dorë edhe një plan të detajuar për Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Janë vetëm duke pritur formimin e Qeverisë dhe emërimin e Haradinajt kryeministër. Paratë tashmë janë mbledhur dhe armatosja nuk do të jetë problem. Plani është që Gotovina dhe Markaq të jenë këshilltarë”, shkruan Alo me pretendimin se informatat i ka nga një intervistë me një njeri shumë të informuar rreth kësaj çështjeje.
Sipas këtij shkrimi, tashmë janë paguar edhe para të shumta për të punësuar dy gjeneralët dhe se njëri prej tyre, Getovina, ka qenë disa herë në Kosovë në vizita jo zyrtare. Kontaktin e parë, siç shkruan Alo, mes Hashim Thaçit dhe gjeneralëve kroatë e ka vendosur ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku.
Këto pretendime të Alo, për gazetën i ka konfirmuar edhe gazetari dhe tashmë deputeti i Partisë Progresive Serbe, Milovan Drecun, i cili ka thënë se janë në njohuri për përfshirjen e gjeneralëve kroatë dhe se gjithçka po bëhet nën ombrellën e NATO-s.
Sipas Drecun, Kosova tashmë ka siguruar edhe buxhetin për blerjen e pesë helikopterëve dhe pajisjen me armatime të rënda.