Në Kolegjin ISPE u mbajt ligjërata “Sfidat e sigurisë globale”, me ligjerues: Gjeneral Karl-Heinz-Lather, Gjeneral Volker Halbauer dhe Prof. Dr. Bengt Beutler, të cilat janë gjithashtu anëtarë të Këshillit të Kolegjit ISPE .
Kjo ligjëratë iu dedikua në tërësi sfidave dhe kërcënimeve kryesore me të cilat po ballafaqohet bota siç janë : krizat në Siri, Irak dhe Ukrainë, përkeqësimi i marrëdhënieve Rusi – Perëndim, rritja e ekstremizmit të dhunshëm dhe lufta kundër terrorizmit, përhapja e armëve nukleare, kriza e refugjatëve në tërë botën dhe situata në Lindjen e Mesme.
Ishte konstatim i të tre ligjërueseve, se siguria globale nënkupton masa ushtarake dhe politike, të cilat duhet t’i marrin shtetet dhe organizatat ndërkombëtare siç janë OKB dhe NATO me qëllim të garantimit të sigurisë nacionale, rajonale dhe ndërkombëtare.
S’do mend se një pjesë e kësaj ligjërate iu kushtua edhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe impaktit pozitiv apo negativ që mund ta ketë ardhja e Donald Trump në krye të SHBA-ve.
Rreth kësaj çështjeje apo shqetësimit i cili është ngritur gjithandej nëpër Evropë dhe i cili ka të bëjë kryesisht me sigurinë evropiane dhe marrëdhëniet e reja eventuale të SHBA-ve me Rusinë, ligjëruesit ishin të mendimit se marrë parasysh fjalorin e Trump gjatë fushatës, këto shqetësime janë legjitime, megjithatë sipas tyre duhet pritur veprimet konkrete të administratës amerikane dhe për më tepër në qoftë se eventualisht hiqet ombrella e sigurisë amerikane ndaj Evropës, kjo e fundit duhet të jetë vetë e aftë të garantoj sigurinë e saj dhe t’u përgjigjet të gjitha sfidave dhe kërcënimeve eventuale.
Kjo ligjëratë zgjoi interesim të jashtëzakonshëm të stafit akademik dhe studentëve të Kolegjit ISPE, e njëjta ishte e hapur edhe për media dhe publik.