Gjyqi i Trumpit drejt fundit – sytë kah senatorët republikan

Prishtinë | 13 Shk 2021 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Gjyqi i dytë ndaj Donald Trumpit po shkon drejt përfundimit, teksa në Senatin amerikan, pritet që më 13 shkurt të paraqiten përfundimet për këtë çështje, gjë e cila pritet të pasohet nga një votim nëse duhet apo jo që ish-presidenti amerikan të gjendet fajtor për nxitje të trazirave të 6 janarit.

Avokatët e Trumpit kanë paraqitur argumentet e tyre më 12 shkurt, duke shfrytëzuar vetëm tri orë nga 16 sa kishin në dispozicion. Trump po akuzohet për nxitje të kryengritjes në lidhje me trazirat në Kongresin amerikan më 6 janar.

Kjo ishte dita e katërt me radhë e seancave në Senat, ku 100 anëtarë të këtij institucioni janë në rolin e anëtarëve të jurisë.

Nuk kishte indikacione pasi të dyja palët përfunduan prezantimet e tyre, se janë krijuar votat e mjaftueshme në Senat për ta gjetur fajtor Trumpin. Të paktën 17 republikanë duhet të votojnë, së bashku me të gjithë demokratët dhe të pavarurit, që të arrihet dy e treta e shumicës së kërkuar.

Gjashtë republikanë u janë bashkuar demokratëve në një votë procedurale më 9 shkurt, duke lënë të kuptohet se votat për ta gjetur fajtor Trumpin nuk do të jenë të mjaftueshme. Pesë prej këtyre republikanëve, shpesh kanë qenë kritikë ndaj Trumpit, prandaj votimi i tyre pro votës procedurale nuk ka qenë befasi.

Republikani i gjashtë, senatori nga Luiziana, Bill Cassidy tha se ai po tenton që t’i qaset në mënyrë objektive këtij gjykimi. Republikanë të tjerë, përfshirë edhe liderin e pakicës, Mitch McConnell po vëzhgohen nga afër se si ata do të votojnë.

McConnell ka votuar që gjyqi të mos niste, duke lënë të kuptohet se ai do të votojë për shfajësimin e Trumpit. Megjithatë, ai po ashtu ka thënë se Trumpi ka “provokuar” turmën e protestuesve, të cilët sipas tij, janë “ushqyer me gënjeshtra”.

Gjatë tri orëve, mbrojtja e Trumpit më 12 shkurt, tha se demokratët nuk kanë treguar asnjë të dhënë që dëshmon se ish-presidenti ka nxitur trazirat dhe i ka akuzuar ata se ka përdorur gjyqin si pjesë e një përpjekje “për të eliminuar politikisht një kundërshtar”.

Ekipi i mbrojtjes së Trumpit mohoi se ish-presidenti ka nxitur trazirat, ku kanë vdekur të paktën pesë persona përfshirë edhe një zyrtar policor, duke argumentuar se gjyqi është nxitur nga “urrejtja” që kanë demokratët ndaj Trumpit.

“Urrejtja është në zemrën e përpjekjeve të menaxherëve të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët fajësojë Donald Trumpin për akte kriminale”, tha avokati i Trumpit, Michael van der Veen said.

Van der Veen gjithashtu theksoi se kur Trumpi inkurajoi mbështetësit e tij që “të luftojnë si ferr” në një tubim të mbajtur pak para se të ndodhnin ngjarjet e dhunshme në Kongres, ishte “retorikë e zakonshme politike që praktikisht nuk dallon nga gjuha që është përdorur nga njerëzit në gjithë spektrin politik për qindra vjet”.

Ai gjithashtu ka shfaqur edhe disa video të anëtarëve të Kongresit të cilët përdorin fjalën “luftë” në fjalimet e tyre.

Avokatët e Trumpit po ashtu theksuan se në fjalimin e tij më 6 janar, Trump inkurajoi turmën që të sillej në “mënyrë paqësore” dhe ata po ashtu thanë se komentet e ish-presidentit mbi mosbesimin e tij ndaj rezultateve të zgjedhjeve, mbrohen si liri e shprehjes, që garantohet në Kushtetutën amerikane.

Demokratët e kundërshtojnë fuqishëm këtë pretendim, duke argumentuar se fjalët e përdorura nga Trumpi, përbëjnë nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës. Gjatë prezantimeve të tyre në Senat, më herët gjatë kësaj jave, demokratët e cilësuan Trumpin si “nxitësin kryesor”, ku sipas tyre, ai fillimisht përhapi pretendime të rreme për mashtrime zgjedhore dhe më pas inkurajoi mbështetësit e tij që të vinin më 6 janar në Uashington dhe të sfidonin rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, 2020.

Pasi humbit zgjedhjet, Trumpi shpenzoi javë të tëra duke sfiduar rezultatin zgjedhor, por rastet që ekipi i tij solli në gjykatat në mbarë vendin, u hodhën poshtë.

Trumpi kishte mbajtur një fjalim para mbështetësve të tij, pak kohë para se Kongresi të niste certifikimin e votave të Kolegjit Zgjedhor. Ai po ashtu kishte inkurajuar nënpresidentin, Mike Pence që të refuzonte certifikimin e rezultateve, si përpjekje për të përmbysur rezultatin e 3 nëntorit.

Avokatët e Trumpit nuk kanë kundërshtuar se protestat në Kongres ishin të dhunshme, por ata thanë se këto akte janë kryer nga persona, që e shndërruan një protestë që ishte paraparë të ishte paqësore në të dhunshme. Ata thanë po ashtu se protestuesit kishin planifikuar që ngjarjet të ishin të dhunshme, para se Trump t’iu drejtohej mbështetësve të tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme