Gjenerali amerikan: Al-Baghdadi mund të jetë ende gjallë

Prishtinë | 01 Sht 2017 | 19:34 | Nga

Udhëheqësi i Shtetit Islamik, me shumë gjasa është ende gjallë. Lajmi jepet nga një gjeneral i Shteteve të Bashkuara, duke vendosur në kontradiktë pretendimin e Rusisë se, ai mund të ketë vdekur si pasojë e sulmeve ajrore ruse në Siri, gjatë muajit maj.

Abu Bakr al-Baghdadi mund të jetë fshehur në një zonë të largët kufitare mes Irakut dhe Sirisë, thotë gjenerali Stephen Townsend, komandant i koalicionit anti-ISIS të udhëhequr nga amerikanët. Ai mund të jetë arratisur, në kohën kur bastionet kryesore të ISIS u vunë nën sulmet ajrore në të dyja shtetet, ku grupi xhihadist kishte hedhur rrënjë.

Në fakt, vendndodhja e Baghdadit nuk njihet prej një kohe disi të gjatë tashmë.

Në qershor, Rusia tha se “ka shumë mundësi”, që Baghdadi të jetë vrarë gjatë muajit maj në një sulm ajror të forcave ruse në Raqqa, kryeqyteti “de facto” i grupit xhihadist në veri të Sirisë deri pak kohë më parë. Që prej atëherë, grupet lokale që luftojnë militantët xhihadistë kanë përshkallëzuar sulmet nga toka në qytet, ku përllogariten të jenë fshehur rreth 2.000 militantë.

Edhe pse ka pasur disa raportime në të shkuarën mbi vdekjen e Baghdadit, ditën e enjte, gjenerali Toënsend tha se “ka të dhëna nga kanalet e shërbimeve sekrete se ai është ende gjallë”.

“Jemi duke kërkuar për të çdo ditë dhe unë besoj se ai nuk ka vdekur”, u tha gjenerali reporterëve, duke përsëritur se ende nuk ka asnjë gjurmë të mundshme se ku mund të jetë fshehur udhëheqësi i ISIS.

“Vendgrumbullimi i fundit i ISIS-it duhet të jetë Lugina e mesme e lumit Eufrat”, shtoi ai. “Kur ta gjejmë atë, mendoj se thjesht do të përpiqemi të vrasim atë të parin. Nuk ia vlen aspak gjithë ai mundim për t’u përpjekur ta zëmë rob”.

Baghdadi besohet të ketë qenë në Mosul të Irakut, përpara se koalicioni i udhëhequr nga SHBA të niste përpjekjet për rimarrjen e qytetit në tetor të vitit 2016. Ai ka pasur vetëm një dalje publike në vitet e fudnit, në videon ku jepte predikime në Mosul më 5 korrik të 2014-s, vetëm pak pasi ISIS mori kontrollin e qytetit. Mesazhi audio i fundit i dhënë prej tij ka qenë më 2 nëntor të vitit të kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme