Gjenerali amerikan: Talibanët i kanë nën kontroll gjysmën e qendrave të distrikteve

Prishtinë | 22 Kor 2021 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Gjenerali amerikan, Mark Milley, tha të mërkurën se talibanët e kanë nën kontroll rreth gjysmën e qendrave të distrikteve të Afganistanit.

Pasiguria është shtuar javët e fundit në Afganistan, kryesisht për shkak të luftimeve nëpër provinca pas tërheqjes së trupave të huaja, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë talibanët kanë nisur ofenziva të mëdha, duke marrë nën kontroll distrikte dhe pikëkalime kufitare.

Gjenerali i ushtrisë amerikane tha se mbi 200 nga 419 qendrat e distrikteve janë nën kontrollin e talibanëve. Muajin e kaluar, ai tha se talibanët i kontrollonin vetëm 81 distrikte në Afganistan, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Qeveria afgane i ka akuzuar talibanët për shkatërrimin e qindra ndërtesave qeveritare në 29 nga 34 provincat e vendit. Në anën tjetër, talibanët i mohojnë akuzat për shkatërrime të gjera nga luftëtarët e tyre.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka caktuar datën 31 gusht si përfundim formal i misionit ushtarak të ShBA-së në Afganistan, duke i dhënë fund përfshirjes së vendit të tij në konfliktin që filloi në vitin 2001.

Pothuajse të gjitha trupat amerikane, përpos atyre që e ruajnë ambasadën në Kabul dhe aeroportin, tashmë janë larguar nga Afganistani.

Të ngjashme