Një zyrtar i lartë ushtarak rus është qëlluar në Moskë, raportojnë mediat botërore.
Gjenerali Vladimir Alekseyev u qëllua disa herë në shkallët e apartamentit të tij të premten nga një person i panjohur në pjesën veriperëndimore të qytetit dhe mbetet në gjendje kritike, sipas raporteve fillestare, raporton The Guardian.
Alekseyev është zëvendës-drejtor i agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake, GRU, një njësitë e ministrisë së mbrojtjes e njohur për organizimin e operacioneve të fshehta jashtë vendit, përfshirë atentate, sabotime dhe spiunazh.
Ai ishte një nga oficerët kryesorë që i siguronte Vladimir Putinit inteligjencë për pushtimin e plotë të Ukrainës në 2022.
Gjithashtu është përshkruar gjerësisht si figurë kyçe që mbikëqyr kompanitë private ushtarake të vendit dhe ishte ndër zyrtarët e lartë të dërguar për të negociuar me Yevgeny Prigozhin gjatë rebelimit të shkurtër të grupit Wagner në verën e 2023.
Alekseyev është nën sanksione nga Washingtoni për përfshirjen e tij të dyshuar në përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në 2020. Britania e Madhe gjithashtu vendosi sanksione ndaj tij për sulmin vdekjeprurës me agjent nervor novichok në Salisbury në 2018.
Asnjë palë nuk ka marrë përgjegjësinë për qëllimin e Alekseyevit, por dyshimi në Moskë pritet të bie mbi Kievin. Agjencitë ukrainase të inteligjencës kanë synuar dhjetëra oficerë ushtarakë rusë dhe zyrtarë të vendosur nga Rusia që nga fillimi i luftës, duke i akuzuar për përfshirje në krime lufte.
Sulmi ndodhi një ditë pas takimit të delegacioneve ruse dhe ukrainase – përfshirë shefin e drejtpërdrejtë të Alekseyevit, Igor Kostyukov – në Abu Dhabi, ku të dy palët folën për përparim të dukshëm në bisedimet e paqes.
Disa në Moskë menjëherë fajësuan Ukrainën, duke pretenduar pa prova se Kiev po përpiqej të pengonte bisedimet.