Gjenerali i ushtrisë nigeriane dhe 10 të tjerë vdesin në aksident ajror

Prishtinë | 22 Maj 2021 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë nigeriane, Gjeneral Ibrahim Attahiru, ka vdekur në një aksident ajror me aeroplan në rajonin Kaduna, thanë zyrtarët e shtetit afrikan.

Aksidenti ndodhi në kohën kur aeroplani po mundohej të aterronte në mot të lig, njoftoi ushtria. Përpos gjeneralit, në këtë aksident mbetën të vdekur edhe dhjetë persona tjerë, përfshirë ekuipazhin.

Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, tha se është thellësisht i pikëlluar nga aksidenti. Gjenerali Attahiru e mori postin më të lartë në ushtri në janar të këtij viti si pjesë e ndryshimit të udhëheqësisë së forcave të armatosura të shtetit me popullsinë më të madhe në Afrikë – 206 milionë.

Emërimi i tij në krye të ushtrisë ishte pjesë e planit të qeverisë për ta ngritur efikasitetin e forcave të armatosura për ta luftuar kryengritjen e militantëve, e cila ka filluar para më shumë se një dekade, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Aksidenti i së premtes ndodhi tre muaj pasi një aeroplan ushtarak nigerian u rrëzua në kryqytetin Abuja, duke lënë të vdekur shtatë personat që ndodheshin në të.

Të ngjashme