Institucionet këtë javë për dy ditë ishin nikoqire të vizitës së delegacionit nga Gjermania, konkretisht Ministrisë Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe, për çështjen e liberalizmit të vizave, raporton Ekonomia Online.
Takimit janë mbajtur pa prezencën e medieve, përderisa për mbajtjen e takimeve u lëshua vetëm një komunikatë.
Ndonëse nuk bëhet i qartë qëndrimi i pjesëmarrësve në komunikatë thuhet se ata kanë vlerësuar si një hap të rëndësishëm përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
Lidhur me këtë drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë për Ekonomia Online se çështja e liberalizimit të vizave ka mbetur në vendimmarrjen politike e cila merret nga Këshilli Evropian.
Analisti politik theksoi se në dhjetor mund të merret vendimi për vizat, krejt kjo nëse Këshilli merr një vendim me 2/3 e anëtarëve pro heqjes së vizave për Kosovën, atëherë mbetet vetëm procesi teknik se kur do të hynë në fuqi.
“Kumtimi për plotësim të kritereve për liberalizim të vizave ka ardhur zyrtarisht nga Komisioni Evropian, njëkohësisht edhe përmes votimit në Parlamentin Evropian përmes kalimit të komisionit parlamentit evropian për çështjen e liberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave. Por procesi ka mbete te vendimmarrja politike e cila merret përmes Këshillit”.
“Kjo është vonuar për shkak të zgjedhjeve të BE-së e deri të krijimi i institucioneve të reja. Ajo çka mbetet është çështja e heqjes së vizave për Kosovën të hyjë në agjendën e Këshillit dhe pastaj Këshilli ta marr një vendim që 2/3 e shteteve anëtare që përbëjnë 2/3 e popullsisë të BE-së. Që të merret vendimi pro heqjes së vizave të Kosovës dhe pastaj procesi i përgatitja teknike se kur vendoset data se kur vendimi hynë në fuqi”.
Demhasaj ka njoftuar se Qeveria është e përgatitur me disa veprime të cilët është dashur t’i marrë pas vendimit. Ai po ashtu theksoi se nëse në dhjetor Këshilli Evropian e vendos në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave atëherë mundet me qenë një vendim për Kosovën.
“Kosova ka përparësi në procesin teknik pasi Qeveria dhe Ministria e Integrimeve Evropiane kanë ndërmarr disa veprime që duhet të merren pas vendimit. Paraprakisht ka filluar me u marr me atë procesin e informimit të qytetarëve e gjithë ato për procesin e liberalizimit të vizave. E rëndësishme është tani nxjerrja e vendimit nga ana e Këshillit ku vendoset që Kosovës t’i hiqen vizat në një datë të caktuar”.
“Nëse në dhjetor mundet me pas mbledhje të këshillit dhe futet në agjendë çështja e liberalizimit të vizave atëherë mundet më ndodhë që në këtë mbledhje me pas një vendim për Kosovën sa i përket çështjes së vizave. Ai vendim mundet me u materializua dhe me funksionuar prej një datës së caktuar që mundet me qenë 2020 qoftë në prill apo qershor pasi deri 6 muaj merr kohë nga vendimi”, u shpreh Demhasaj.
Ky proces bashkëpunimi, ka nisur pas kërkesës së Kryeministrit në detyrë Haradinaj, që shteti Gjerman, konkretisht ekspertët e kësaj fushe nga Ministria e Brendshme, ta vizitojnë Kosovën për të parë në realitet punën e bërë.