Gjermania dënoi grusht shtetin ushtarak në Mianmar “në termat më të fuqishëm”

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Gjermania dënoi grusht shtetin ushtarak në Mianmar “në termat më të fuqishëm të mundshëm” dhe bëri thirrje për lirim të menjëhershëm të liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Dënoj në termat më të fuqishëm të mundshëm marrjen e pushtetit nga ushtria në Mianmar dhe arrestimet që pasuan”, tha sot në një deklaratë ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas.

“I bëj thirrje ushtrisë që të lirojë menjëherë anëtarët e arrestuar të qeverisë dhe parlamentit, duke përfshirë presidentin Win Myint dhe këshilltaren e shtetit Aung San Suu Kyi, të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të lejojë punën e institucioneve kushtetuese të legjitimuara në mënyrë demokratike”, shtoi ai, raporton Anadolu Agency .

Maas paralajmëroi se ndërhyrja ushtarake vë në rrezik arritjet e Mianmar drejt demokracisë.

“Gjermania, së bashku me partnerët e saj të BE-së, riafirmon mbështetjen e saj për demokratizimin e mëtejshëm të Mianmarit dhe përpjekjet e qeverisë civile për të promovuar paqen, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin ekonomik në Mianmar”, tha ai.

“Pres që udhëheqja ushtarake të respektojë vullnetin demokratik të popullit të tyre dhe të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit 2020”, shtoi ai.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Në njoftimin nga media e ushtrisë së Mianmarit, thuhet se pas arrestimeve të bëra në orët e mëngjesit, janë konfirmuar pretendimet rreth grusht shtetit ushtarak, duke njoftuar se vendi tani është nën drejtimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing.

Grusht shteti është kryer për shkak të pretendimeve se janë bërë mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit 2020.

Pas puçit në vend është shpallur gjendje e jashtëzakonshme ndërsa vendi do të qeveriset me administratë ushtarake për një vit.

Komisioni zgjedhor më 29 janar kishte përgënjeshtruar pretendimet e ushtrisë, se janë bërë mashtrime në zgjedhjet që përfunduan me fitoren e partisë së Aung San Suu Kyi në pushtet.

Ushtria në vend mbështet partinë në opozitë Partia e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme