Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, duke folur për punën e presidencës gjermane në Bashkimin Evropian, tha të martën para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian se BE-ja “duhet të angazhohet edhe më shumë në Ballkanin Perëndimor”.
Ky rajon është “oborr i brendshëm i BE-së, e jo oborr i jashtëm”, tha Roth.
Ai kërkoi që BE-ja ta dëshmojë përkushtimin e saj në përmbushjen e premtimeve ndaj vendeve të këtij rajoni, duke thënë se perspektiva evropiane e tij është e domosdoshme për paqe dhe stabilitet.
Roth konfirmoi se presidenca gjermane e BE-së është duke punuar për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut para fundit të muajt dhjetor të këtij viti.
Ai kërkoi që vendet anëtare të mos paraqesin kushte shtesë ndaj Shkupit, duke aluduar këtu në disa kërkesa të Bullgarisë që në kornizën negociuese të përfshihen edhe disa çështje dypalëshe.
Bullgaria ka kërkuar që fqinjësia e mirë midis saj dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet po ashtu pjesë e kritereve në procesin e negociatave.
Përderisa për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut thuhet se po punohet në mënyrë aktive në BE, gjasat për Shqipërinë që së shpejti t’i nisë këto negociata duket se nuk janë të mëdha.
Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia është vend anëtar i BE-së.
Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së tyre, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.