Gjermania do t’u japë dozë tjetër atyre nën 60 vjeç që e kanë marrë AstraZenecan

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Të martën, ministrat federalë dhe rajonalë të Shëndetësisë në Gjermani u pajtuan që personave nën moshën 60-vjeçare që dozën e parë të vaksinës e kanë marrë të kompanisë “AstraZeneca”, si dozë e dytë t’u jepet një vaksinë e një kompanie tjetër.

Gjermania njoftoi më 30 mars se nuk do t’i vaksinojë më me vaksinën e AstraZeneca-s personat nën moshën 60-vjeçare për shkak të shqetësimeve rreth lidhjes së mundshme të kësaj vaksine me mpiksjen e rrallë të gjakut.

Ministrat gjermanë u pajtuan të martën që personat më të rinj që e kanë marrë dozën e parë të vaksinës së AstraZeneca-s para njoftimit të 30 marsit do ta marrin si dozë të dytë vaksinën e kompanisë “Pfizer” ose atë të kompanisë “Moderna”, shkruan The Guardian.

“Zgjidhja që është gjetur do të ofrojë nivel të mirë të mbrojtjes”, deklaroi ministri rajonal i Shëndetësisë në Bavari, Klaus Holetschek.

Politikat e reja të vaksinimit janë në linjë me rekomandimet e publikuara javën e kaluar nga komisioni gjerman i vaksinave, që gjithashtu rekomandoi që doza e dytë personave t’u jepet 12 javë pas dozës së parë të AstraZeneca-s.

Gjermania është në mesin e disa shteteve që e kanë kufizuar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s vetëm për personat e moshuar pas paraqitjes së rasteve me mpiksje të gjakut te një numër i vogël i personave të vaksinuar, të cilët ishin të moshës më të re.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme