Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) ka dorëzuar kandidaturën për të organizuar Kampionatin Evropian 2024.
UEFA ka konfirmuar në mars të vitit 2017 se turneu do të mbahet në Gjermani apo Turqi. Federata e Futbollit e Turqisë (FF) po ashtu do të dorëzojë kandidaturën këtë javë.
UEFA do të zbulojë organizatorin më 27 shtator.
Euro 2024 do të kthehet në format me një nikoqir, pasi Euro 2020 do të mbahet në 12 qytete të ndryshme nëpër Evropë.
DFB hoqi aplikimin për të organizuar gjysmëfinalet dhe finalen e Evropianit 2020, duke bërë që Federata e Futbollit e Anglisë të marrë organizimin e tri ndeshjeve kryesore.
Gjermania së pari ka njoftuar për qëllimet për të organizuar Evropianin 2024 në vitin 2013, para se të deklarohej zyrtarisht vitin e kaluar.
“Jam i sigurt se sërish do të ndiejmë entuziazmin e madh dhe do të krijojmë një shpirt të ri të solidaritetit në Evropianin 2024”, ka thënë ish-kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, ambasador i kandidaturës së DFB-së.