Gjermania ka vendosur ta dorëzojë Carles Puigdemont. Prokuroria e Përgjithshme e landit të Shlesvig-Holshtajn njoftoi të martën se do të ekstradojë në Spanjë ish-kreun e qeverisë së Katalonjës.
Autoritetet spanjolle e akuzojnë Puigdemont për rebelim dhe mosbindje ndaj shtetit për referendumin e paligjshëm të muajit tetor dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së rajonit.
Carles Puigdemont u largua drejt Belgjikës pas referendumit, ku qëndroi për disa kohë para se të vizitonte Finlandën në muajin mars. Për t’i shpëtuar arrestimit nga autoritetet e Helsinkit, mbi bazën e një urdhërarresti europian, ish-presidenti arriti të hynte në Gjermani, ku edhe u kap të dielën e kaluar nga autoritetet.
Ai priti disa ditë vendimin në burgun e Neumünsterit pasi shqyrtimi i dokumentacionit konsiderohej shumë kompleks. Qeveria gjermane ishte shprehur se rasti i ish kreut te qeverise katalanase nuk do të ndikonte në marrëdhëniet me Spanjën.
Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tha pas arrestimit të Puigdemont, se rasti është trajtuar sipas ligjeve gjermane e rregulloreve europiane në fuqi.
“Spanja është një vend demokratik” dhe konflikti për Katalonjën duhet të zgjidhet “brenda të drejtës dhe ligjit kushtetues spanjoll”, ishte shprehur Seibert. Carles Puigdemont nuk kërkoi azil politik në Gjermani.