Gjermania ia jep Kosovës disa miliona për zgjeruar rrjetin e ngrohjes së Termokosit

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se qeveria gjermane do t’ia japë Kosovës 12.65 milionë euro shtesë për zgjerim të rrjetit të ngrohjes me Termokos.

Murati ka thënë se mjetet do të jenë grant dhe e e sjellin në mbi 26 milionë euro kontributin e qeverisë gjermane për këtë projekt.

“Një lajm i mirë për energjetikën! Si rezultat i thellimit të bashkëpunimit të mirë, Qeveria Gjermane ka zotuar edhe 12.65 milionë euro shtesë për projektin e ngrohjes qëndrore me energji solare që pritet të fillojë shumë shpejt.  Këto mjete do të jenë grant, dhe e sjellin në mbi 26 milionë euro gjithsej kontributin e Qeverisë Gjermane në formë granti për këtë projekt”, ka thënë ai.

Ministri Murati tha se kjo nënkupton që edhe më shumë familje do ta zvogëlojnë konsumin e energjisë elektrike që përdoret për ngrohje.

“Projekti në fjalë parasheh rritjen e kapacitetit për ngrohje qëndrore, dhe mundëson zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të Termokos-it, duke mundësuar efiçiencë shtesë e shfrytëzim të burimeve të ripërtërishme.  Kjo po ashtu nënkupton që më shumë familje të kenë ngrohje me çmim të përballueshëm, duke rezultuar kështu edhe në zvogëlim të konsumit të energjisë elektrike që përdoret për ngrohje”, ka thënë ai.

Të ngjashme