Kthimi i tifozëve në stadiumet gjermane sezonin e ardhshëm ka bërë edhe një hap përpara, pasi 36 klubet e dy niveleve të para – Bundesliga dhe Bundesliga 2, kanë marrë udhëzime se si t’i mbajnë shikuesit të sigurt nga infeksioni mes pandemisë COVID-19. Sezoni i Bundesligës përfundoi në fund të qershorit me nëntë xhirot e fundit të ndeshjeve që u luajtën prapa dyerve të mbyllura.
Sidoqoftë, me klubet që kanë humbur miliona në të ardhura nga shitja e biletave për ditën e ndeshjes, Liga e Futbollit të Gjermanisë (DFL), ka ofruar ndihmë për krijimin e një ambienti të sigurt në baza të caktuara. Për dallim prej Gjermanisë, në Spanjë nuk po shihet si ide e mirë kthimi i tifozëve në shtator, kanë raportuar mediumet e huaja të enjten.
“Udhëzimi shërben si një orientim për strukturën themelore të koncepteve të higjienës dhe përmban shumë aspekte që duhen marrë në konsideratë”, thuhet në njoftimin e DFL-së.
Çdo klub do të ketë nevojë që koncepti i tij për kthimin e tifozëve në tribuna të aprovohet nga autoriteti lokal shëndetësor. Udhëzuesi i DFL-së, tashmë është dorëzuar në Ministrinë Federale të Shëndetësisë të Qeverisë gjermane (BMG) për vlerësim. Siç thekson edhe liga, BMG-ja thotë se standardet e larta të mbrojtjes për të parandaluar infeksionin janë një kërkesë themelore para se tifozët të mund të kthehen në tribuna sezonin e ri, saktësisht në muajin shtator. Gjermania aktualisht ka rreth 200 mijë raste të infektuara me koronavirus dhe mbi nëntë mijë vdekje. Klubet elitare, si kampioni i Gjermanisë, Bayern Muencheni, pastaj Borussia Dortmundi dhe RB Leipzigu thuhet se tashmë po punojnë në konceptet e higjienës, që mund të shohin kthimin e një numri të limituar tifozësh në tribuna. Dortmundi së fundi ka testuar një sistem për të matur temperaturat e trupit të tifozëve në stadium.
“Kam shpresë se të paktën një pjesë e vogël e tifozëve do të lejohen të futen në stadium përsëri prej muajit shtator”, ka thënë shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke.