Gjermania ndan 6.5 milionë € për krijimin e vendeve të punës në bujqësi

Prishtinë | 16 Gus 2018 | 11:34 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, kanë nënshkruar marrëveshjen për grant “Shërbime financiare për krijimin e vendeve të punës në sektorin e bujqësisë – Fondi për Garantimin e Kredive III” në vlerë 6.5 milionë euro.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se kjo ndihmë nga qeveria gjermane është falas, pa mundësi kthimi, dhe ai e cilëson si një nga ndihmat më të çmueshme që shteti i gjerman i dha Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Për mua është kënaqësi dhe nder i veçantë që sot në kapacitetet e Ministrisë së Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e nënshkruajmë marrëveshjen e tetë me Qeverinë e Republikës së Gjermanisë, marrëveshje e cila është në vazhdën e marrëveshjeve të deritanishme. Është grant, janë kontribut financiar pa kthim”.

“Falënderoj qeverinë gjermane, ambasadorin Held, mbi të gjitha taksapaguesit gjermanë që me taksat e tyre fuqishëm po kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës”, tha Hamza.

Sipas Hamzës, Gjermania është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, e cila ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës me mbi 500 milionë euro, raporton EO.

“Gjermania është një prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë. Deri më tani ka kontribuar me taksat e tyre në zhvillimin ekonomik të Kosovës mbi 500 milionë euro, për çka unë si ministër i Financave, institucionet e Republikës së Kosovës, jemi shumë mirënjohës”.

Hamza bëri të ditur se marrëveshja e nënshkruar sot kap vlerën prej 6.5 milionë eurove.

“Marrëveshja e sotit kap vlerën prej 6.5 milionë euro. Jemi përcaktuar për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe jemi të sigurt se një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e ofron sektori privat”.

“Ky fond është themeluar me përkrahjen e donatorëve. Kontribuesi më i madh është qeveria gjermane, qëllimi është të fokusohen grupet, sidomos njerëzit e rinj, gjinia femërore, që kanë plane të qëndrueshme të biznesit, kanë mundësi të realizojnë kredi në kushte më të volitshme”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, falënderoi Ministrinë e Financave për mirëbesimin që kanë dhe tha se kjo ndihmesë është që Kosova të jetë sa më afër integrimeve euroatlantike, raporton EO.

“Ky grant është baza e veprimtarive që na mundëson që Kosovën ta afrojmë më afër integrimeve euroatlantike”, tha Heldt.

Ai shtoi se për rritje të qëndrueshme ekonomike, sektori financiar është shtylla më e rëndësishme, ngjashëm edhe në shtetin gjerman.

“Qeveria gjermane dhe institucionet e saj kanë mbështetur Kosovën që nga vitet ’99, fillimisht ka qenë për masa emergjente, stabilizimi dhe rindërtimi që ka qenë pjesë e ndihmës në fillim”.

“Ky fond ka lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe këto ndërmarrje janë shtylla të zhvillimit ekonomik edhe në Gjermani”, tha Heldt.

Ai tha se fondi është krijuar në mënyrë mirëbesimi dhe ka vendosur parakushte të domosdoshme që institucionet financiare t’u japin ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

 

Të ngjashme