Prokurorët gjermanë thanë të enjten se kanë ngritur aktakuzë ndaj një siriani për vrasjen e një burri dhe plagosjen e rëndë të një tjetri gjatë një sulmi me thikë, për të cilin besojnë se ishte i motivuar nga ekstremizmi islamik.
I identifikuar si Abdullah AHH, i dyshuari akuzohet për vrasje, tentim vrasje dhe dëmtim të rëndë trupor të motivuar nga bindjet radikale islamike, thanë prokurorët në qytetin Karlsruhe.
Dy burrat e moshës 55 dhe 53-vjeçare u sulmuan në qytetin lindor gjerman, Dresden, më 4 tetor të vitit të kaluar. Burri më i moshuar vdiq më vonë në spital, shkruan Daily Mail.
Sipas disa raportimeve të medieve gjermane, dy burrat e sulmuar nga siriani ishin çift homoseksual. “Ai i kishte zgjedhur dy viktimat për t’i ndëshkuar me vdekje si përfaqësues të një rendi të lirë e të hapur social, të cilin ai e kundërshtonte dhe e cilësonte si të pafe”, thanë prokurorët.