Gjermania paralajmëron sanksione të reja kundër Rusisë

Prishtinë | 08 Shk 2023 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Evropa do të forcojë sanksionet kundër Moskës ndërsa afron përvjetori i parë i agresionit rus në Ukrainë, si një sinjal për presidentin rus Vladimir Putin, tha të mërkurën kancelari gjerman Olaf Scholz përpara një takimi të posaçëm të BE-së.

“Putini nuk do t’i arrijë qëllimet e tij në fushën e betejës dhe as nuk do të arrijë të diktojë kushtet për paqe”, tha Scholz në Bundestag – dhomën e ulët të parlamentit gjerman. Ai tha se BE-ja do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme

Burime diplomatike i thanë Reuters-it muajin e kaluar se vendet e BE-së po punonin për një paketë të 10-të sanksionesh që duhet të jetë gati rreth përvjetorit të agresionit të Rusisë ndaj fqinjit të saj.

Kancleari Scholz kritikoi gjithashtu konkurrencën publike midis disa vendeve se cili mund të dërgojë më shumë armë dhe më të mira në Ukrainë, duke thënë se kjo ka dobësuar unitetin mes aleatëve.

Përpos luftës në Ukrainë, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë gjithashtu çështjen e imigrimit të parregullt dhe situatën ekonomike të bllokut në takimin e tyre të posaçëm në Bruksel të enjten dhe të premten.

Të ngjashme