Papunësia në Gjermani ka nisur të rritet, ndërkohë që aktiviteti i fabrikave vazhdon në rënie, duke rritur presionet për qeverinë që të ndërhyjë me stimuj fiskal.
Numri i të papunëve në muajin tetor 2019 u rrit me gjashtë mijë persona krahasuar me projeksionet për një rritje me vetëm tre mijë. Norma e papunësisë qëndroi në 5 për qind, pra një nivel rekord i ulët.
Raporti vjen pas një sondazhi më herët gjatë muajit, që tregoi se manifaktura ndodhet në krizë dhe punësimi në industri ka rënë me normën më të shpejtë në 10 vite.
Ekonomia gjermane me shumë gjasa ka hyrë në recesion në tremujorin e tretë dhe qeverisë i është bërë thirrje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane për të rritur shpenzimet publike.
Si ekonomia më e madhe e Evropës, vendi është përgjegjës për gjendjen ekonomike të të gjithë rajonit. Prodhimi po pëson goditje nga lufta tregtare, pasiguria në lidhje me BREXIT-in dhe sfidat e sektorit të makinave. Ndërkohë që kërkesa e brendshme ka qëndruar e fortë deri më tani, ekzistojnë shqetësime se amullia do të përhapet edhe tek sektori i shërbimeve, pasi fabrikat po shkarkojnë punëtorët.
Administrata e kancelares Angela Merkel, ka këmbëngulur deri më tani se nuk ka urgjencë për të ndryshuar buxhetin e balancuar.