Gjermania përpiqet të shpëtojë marrëveshjen me Iranin, ministri Heiko Maas viziton Teheranin

Prishtinë | 10 Qer 2019 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, takoi homologun e tij iranian, Mohammad Javad Zarif, gjatë një vizite në Teheran.


Përpara udhëtimit, Maas shfaqi shpresën se bisedimet do t’i ndihmojnë të dyja palët për të gjetur “rrugë konstruktive” për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore. Nënshkruesit evropianë të marrëveshjes – Franca, Britania dhe Gjermania – po përpiqen ta shpëtojnë atë, pas tërheqjes së SHBA-së në vitin 2018 dhe rikthimit të sanksioneve amerikane kundër ekonomisë iraniane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se kushtet e marrëveshjes së vitit 2015 nuk kanë qenë mjaft të ashpra për ta penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Sipas Trumpit, marrëveshja nuk e ka adresuar as programin e Iranit me raketa balistike, as rolin e tij në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Në Teheran, Maas tha se “ka përparësi ekonomike që i janë premtuar Iranit dhe që është vështirë të realizohen pa amerikanët”.

“Por, unë mendoj se ka edhe interesa politike dhe strategjike në ruajtjen e kësaj marrëveshjeje… Kjo duhet të pranohet në Teheran”, tha Maas.

Irani ka kërcënuar me braktisje të marrëveshjes bërthamore, nëse nuk gjenden mënyra për ta ndihmuar ekonominë e tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Musavi, i kritikoi të hënën nënshkruesit evropianë të marrëveshjes, duke thënë se, deri më tani, Irani nuk ka parë “hapa praktikë dhe të prekshëm nga evropianët, që do të garantonin interesat e tij”.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ia kanë bllokuar shumë eksporte të naftës, që janë burim kryesor i të ardhurave në Republikën Islamike. Këto sanksione kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha në Iran dhe marrëdhëniet janë përkeqësuar dhe ka pasur incidente ku janë sulmuar anije në gjirin Persik, naftësjellësi në Arabinë Saudite dhe Zona e Blertë në Baghdad në Irak. SHBA’të kanë akuzuar Iranin për sulmet e fundit.

Të ngjashme