Gazeta gjermane “Welt am Sonntag” ka shkruar se në Gjermani është shënuar rritje e madhe e numrit të sulmeve kibernetike në infrastrukturën e rëndësishme publike, siç është rrjeti elektrik dhe sistemi i furnizimit me ujë.
Duke cituar të dhënat e Agjencisë Federale për Siguri Kibernetike, gazeta ka thënë se vetëm gjatë pjesës së dytë të vitit 2018, në Gjermani kanë ndodhur 157 sulme kibernetike nga hakerët ndaj kompanive që janë përgjegjëse për sektorë të rëndësishëm të infrastrukturës. Ky numër është shumë i madh në krahasim me 145 sulmet që kishin ndodhur gjatë tërë vitit 2017.
Këto sulme janë bërë me qëllim të bllokimit të furnizimit me energji dhe pengimin e qarkullimit të ujit nëpër gypa. Autoritetet e sigurisë dyshojnë se pas këtyre sulmeve qëndrojnë agjencitë e huaja të inteligjencës.
Autoritetet gjermane dhe evropiane janë të shqetësuara për pikat e dobëta të sigurisë së infrastrukturës dhe ndërhyrjen në zgjedhje nga vendet si Rusia, Kina dhe grupet ekstreme të krahut të djathtë.
Gjermania aktualisht është duke bërë plane për ta siguruar rrjetin e gjeneratës së ardhshme, 5G. Pritet të vendoset nëse në këtë rrjet do të përfshihen edhe pajisjet e kompanisë kineze, “Huawei”, e cila është akuzuar për lidhje të ngushta me qeverinë kineze dhe përdorimin e pajisjeve të saj për spiunim, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.