Gjermania të enjten regjistroi 29.426 raste të reja me Covid-19, që është shifra më e lartë ditore që nga 8 janari. Shifra e përgjithshme e infektimeve shkoi në mbi 3 milionë e 70 mijë.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 293 të vdekur dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 79.381, shkruan Reuters.
Gjermania po përballet me përhapjen e një varianti më ngjitës të koronavirusit pesë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat pritet që konservatorët e kancelares Angela Merkel të pësojnë humbje të mëdha.
E zemëruar nga dështimi i disa rajoneve që të vendosin masa të të ashpra kufizuese pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, kancelarja Merkel po kërkon nga kuvendi që t’i ofrojë qeverisë qendrore kompetenca të përkohshme për të vendosur masa izolimi në zonat me shkallë të lartë të infeksioneve.
Të enjten, zëvendëskancelari Olaf Scholz i mbrojti ndryshimet e Aktit për Mbrojtje nga Infeksionet, ku përfshihet ora policore në rastet kur ka shumë raste të reja.
“Kjo ka ndihmuar gjithkund, është bërë në shumë shtete përreth botës dhe e ka ulur shkallën e infeksioneve. Ne duam të kemi rregulla të prera”, deklaroi ai për televizionin ARD, duke shtuar se duhet të bëhet diçka për ta kufizuar përhapjen e virusit.