Grupi qeveritar që merret me çështjet e Coronavirusit, i ka shtyrë për të mërkurën bisedimet për industrinë e mishit. Në rrethet qeveritare në Berlin, u tha se ekziston nevoja për “këshillime paraprake”. Megjithatë është e qartë se presioni mbi politikën u rrit në fundjavë, sepse në një thertore mishi në në Gjermaninë veriore, pati një shpërthim tjetër të pandemisë.
Mbi 90 punonjës të një thertoreje në Dissen të Saksonisë së Poshtme, dolën mbas testimit se ishin infektuar me Coronavirus, siç bëri të ditur të dielën në mbrëmje qarku i Osnabrykenit. Shumë nga të infektuarit janë marrë në punë nga firma ndërmjetësimi dhe jetonin në qendra grumbullimi, u bë e ditur.
Prodhimi në thertore u ndal dhe të prekurit nga Corona si dhe personat që kanë qenë në kontakt me ta, u dërguan në karantinë. Qarku i Osnabrykenit dhe Landi federal i Saksonisë së Poshtme do të bisedojnë për masat që duhen marrë më tej.
“Firma të dyshimta ndërmjetësimi”
Edhe më parë ka pasur qendra grumbullimi mes thertoreve në shumë lande gjermane, për të cilat ka dalë më vonë se kanë qenë qendra infeksioni. Në Renaninë Veriore- Vestfali, janë testuar deri tani 20 mijë të punësuar në 85 thertore. Prej tyre 370 dolën se janë prekur nga virusi kurse 9 mijë, nuk janë prekur.
Sindikata e Sektorit të Ushqimit (NGO) kërkoi “reformim me themel” të industrisë së mishit.
“Ndërmarrjet nuk duhet t’ia transferojnë punën firmave të dyshimta, që paguajnë paga të ulta për punonjësit, duke hequr kështu dorë nga përgjegjësia që kanë vetë. Koncernet kanë rrezikuar shëndetin e mijëra njerëzve”, tha zëvendëskryetari i NGO, Freddy Adjan.
Gjatë fundjavës në Gjermani u zhvilluan diskutime për çmimin shumë të ulët të mishit në Gjermani.
Kryetari i të Gjelbërve, Robert Habeck kërkoi reformimin e sektorit të prodhimit të mishit dhe vendosjen e një çmimi minimal, në mënyrë që të sigurohen kushte më të mira për mbarështimin e kafshëve dhe “pagesa korrekte për punonjësit”.
Ministrat nuk kanë rënë dakord për masat që duhen marrë
Bisedimet, që pritej të mbaheshin ditën e hënë lidhur me gjendjen në ndërmarrjet e prodhimit të mishit u shtynë për ditën e mërkurë.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA, citon ministrin gjerman të punës Hubertus Heil (socialdemokrat) të ketë thënë se është duke kërkuar ndalimin e përgjithshëm të kontratave afatshkurtëra të punës në thertore dhe ndryshimin e ligjit për mbrojtjen në punë. Kjo do të rriste pengesat për për firmat që marrin punonjës hua, shpesh punonjës të lirë nga vendet e BE, që i dërgojnë në fabrika duke i paguar me rroga të ulëta.
Kolegia e tij Julia Klöckner, nga kristiandemokratët, e sektorit të bujqësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, tha të premten se ndërmarrjet duhen vënë fillimisht para detyrimeve.
“Sektori i prodhimit të mishit duhet të zhvillojë konceptet, për t’ i vënë ndërmarrjeve kushtet për mbrojtjen e punonjësve”, tha ajo.