Gjermania do t’i vazhdojë edhe për gjashtë muaj kontrollet e përkohshme në kufirin me Austrinë, për shkak të shqetësimeve se kufijtë e jashtëm të BE-së nuk janë mjaftueshëm të mbrojtur, tha Ministria e Brendshme gjermane.
Gjermania e koordinoi këtë vendim me Austrinë, Danimarkën, Suedinë dhe Norvegjinë, tha një zëdhënëse e ministrisë.
Qeveria daneze dha një njoftim të ngjashëm të premten, duke përmendur kërcënimin nga terrorizmi.
Gjermania dhe vendet e tjera që bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë të BE-së, të njohur si Schengen, kanë vendosur kontrolle emergjente të kufijve më 2015, pasi mbi një milion refugjatë dhe migrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë hyrë në Evropë.
“Synojmë që t’i kthehemi udhëtimit pa pasaporta brenda BE-së, por kushtet për këtë nuk ekzistojnë. Shumë migrantë vazhdojnë të hyjnë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, transmeton REL.
Opinioni në Gjermani është thellësisht i ndarë për çështjen e migrantëve.